TIRANË-Gjithë skena e pengmarrjes së biznesmenit Gerond Meçe më 12 gusht të këtij viti është zbardhur në dosjen e SPAK siguruar nga ZËRI në lidhje me hetimet për tenderat në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Por përveç pasazhit të rrëmbimit të biznesmenit dhe emrave të të akuzuarve Ergys Agasi dhe biznesmeni Ermal Beqiri, të cilët dyshohen se kanë urdhëruar pengmarrjen, janë zbardhur edhe personazhet që qëndrojnë pas lirimit të tij.
Në dosjen e siguruar nga ZËRI, në skenë dalin anëtarët e Komisionit të Prokurimeve Publike. Por çfarë roli patën Fiorent Zguri nënkryetari i KPP dhe anëtarët e Komisionit Kreshnik Tërnov, Anila Malaj dhe Gjergji Mersini?
Gjithçka fillon në ditën e rrëmbimit, ku vetë biznesmeni Gerond Meçe ka deklaruar se më 12 gusht pengmarrësit e liruan pasi morën konfirmim se tërheqjetnga tenderat ishin depozituar nga kompania në sistemin e KPP. Meçe rrëfen se për të verifikuar në kohë reale një tërheqje nga procedurat e ankimimit, duhet të ketë një autoritet apo lidhje brenda KPP që ka akses dhe kompetencë për ta bërë këtë verifikim. Për akses ai jep emrin e Kreshnik Tërnovës, anëtar i KPP. Sipas dëshmisë së tij anëtari i KPP ka lidhje me biznesmenin Ermal Beqirin dhe janë parë bashkë në restorantin ‘Markata e Peshkut’, në Pazarin e Ri.
"Dyshoj se ky person është shtetasi Kreshnik Ternova, anëtar i KPP. Këtë dyshim e lidh me faktin se Kreshnik Tërnova ka lidhje me shtetasin Ermal Beqiri dhe janë parë bashkë në restorantin ‘Markata e Peshkut’, në Pazarin e Ri. Gjithashtu, ka shumë procedura ku, edhe kur KPP i ka dhënë të drejtë kompanisë sonë, anëtari i KPP, Kreshnik Timova, ka qenë në minorancë. Theksoj edhe një rast konkret, lidhur me një procedurë për mirëmbajtjen e sistemit të kamerave të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ku ky anëtar, gjatë mbledhjes ballafaquese mes KPP dhe kompanisë ankimore, i është drejtuar autoritetit kontraktor duke i sugjeruar që ta klasifikonte procedurën si tender i klasifikuar, gjë që ishte drejtpërdrejt me qëllim nxjerrjen jashtë loje të kompanisë sonë,"-zbardhet dëshmia e Meçes në dosjen e SPAK.
Dyshimet shtohen kur një ditën pas rrëmbimit, shoqëria ‘ABS’ ka paraqitur kërkesë për pezullimin e ‘njoftimit të tërheqjes’ pranë KPP dhe AKSHI, me argumentimin se sistemi ishte hakuar një ditë më parë. KPP pa kryer verifikimet ka marrë vendim më datë 13.08.2025 për mospranimin e pezullimit të njoftimit të tërheqjes, edhe pse nuk kishte kohë që kjo çështje të shqyrtohej në vetëm një ditë dhe vendimi duhej të përgatitej të paktën 24 orë përpara.
"Propektvendien i KPP me nr. 1056, datë 13.08.2025 protokolluar me numër 1988/4+1, datë 08.2025, i përbere nga Fiorent Zguro, Kreshnik Tërnova, Anila Malaj dhe Gjergji Mersini në të cilën KPP vendos të përfundojë procedimin administrativ për këtë procedurë prokurimi, nënshkruar nga të gjithë anëtarët,'-thuhet në dosjen e hetimit.
Projektvendimi është punuar nga E. Streza. Vendim i KPP me nr. 1056, datë 13.08.2025, protokolluar me numër 1988/5 datë 13.08.2025, i përbërë nga Fiorent Zguro, Kreshnik Ternova dhe Anila Malaj në të cilën KPP vendos të përfundojë procedimin administrativ për këtë procedurë prokurimi, nënshkruar vetëm nga shtetasi Fiorent Zguro në cilësinë e Nënkryetarit. Shkresë nr. 1988/6, datë 13.08.2025 i KPP dërguar AKSHI dhe "ABS" sh.p.k. në të cilën dërgohet vendimi i mësipërm.
Në arsyetim KPP deklaron se flitet për kërkesë për tërheqje dhe jo për njoftim për tërheqje. Sipas Komisionit të Prokurimeve Publike pretendimet e Meçes janë të pabazuara dhe hamendësime dhe vendos të mos pranojë kërkesën e "ABS" sh.p.k., për rishikim të vendimit të ndërprerjes së procedurës administrative.
Në pjesën arsyetuese të vendimit nga KPP thuhet se: "Pretendimi i operatorit ekonomik në shkresën e datës 13.08.2025, në të cilën deklaron se tërheqja nga ankesa nuk është bërë me vullnetin e tyre, nuk përmban prova konkrete si akt ekspertize nga ekspertë të licencuar, komunikim me AKSHI. Pretendimet nuk mund të merren në shqyrtim nga KPP por nga organet hetimore me karakter penal. OE nuk parashtron fakte apo dyshime të bazuara por ngre pretendime apriori, duke ngritur dyshime dhe hamendësime lidhur me ndërhyrjen në sistemin e-albania, në llogarinë e operatorit nga persona të paautorizuar. Gjithashtu KPP konstaton se kërkesa për tërheqje përmban të gjitha elementët e parashikuara nga Kodi i Procedurave Administrative, formën e mundshme e cila në rastin konkret është e shkruar, kërkesa ka përcaktuar qëllimin i cili në rastin konkret është tërheqja nga ankesa 1988/2025, si dhe kërkuesin i cili është OE kërkues. Për këto arsye KPP ka vendosur të mos pranojë kërkesën e "ABS" sh.p.k., për rishikim të vendimit të ndërprerjes së procedurës administrative. Projektvendimi është punuar nga E. Streza. Vendim me nr. 1093/2025, datë 20.08.2025 protokolluar me numër 1988/8, datë 20.08.2025 në të cilën janë parashtruar të gjitha konstatimet dhe vendimet e shënuara në projektvendim. Ky vendim është nënshkruar vetëm nga shtetasi Fiorent Zguri në cilësinë e Nënkryetarit të KPP. Shkresë nr. 1988/9, datë 20.08.2025 i KPP drejtuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, "ABS" sh.p.k., në të cilën dërgohet vendimi i mësipërm.
Por, si ndodhi rrëmbimi? Më datë 12 gusht të këtij vitit, biznesmeni Gerond Meçe u rrëmbye nga disa persona që ishin të veshur me uniformë policie dhe agjentë të BKH, të cilët më pas e kanë dhunuar dhe kanosur me armë. Siç bëhet me dije në dosjen e siguruar nga ZËRI, pengamrrja ka zgjatur për disa orë dhe është bërë kryesisht në zonënë e Elbasanit, deri në arritjen e qëllimit: Tërheqja e tij nga të gjitha ankimimet për procedurat e prokurimit publik me Autoritetet Kontraktor AKSHI-n. Gjatë hetimeve u zbulua se Ergys Agasi, në bashkëpunim me Ermail Beqirin dhe me ndihmën e policisë, kanë marrë peng Gerond Meçen, një prej biznesmenëve që fitonte më së shumti tendera në AKSHI dhe pas shantazheve për disa orë me radhë e kanë detyruar të heqë dorë nga gara./ZËRI