Aktualitet

DOSJA e AKSHI-t! Zbulohet skema e pastrimit të parave-Andis Papa “bleu” 10 mln euro çokollata dhe biskota

Në dëshminë e tij ai thekson se aktiviteti i kompanisë së tij kufizohet vetëm në tregtimin e produkteve ushqimore dhe veshjeve, duke theksuar se nuk kanë asnjë lidhje apo aktivitet në fushën e teknologjisë së informacionit apo produkteve IT.

F.I
DOSJA e AKSHI-t! Zbulohet skema e pastrimit të parave-Andis Papa
Andis Papa

TIRANË- Në dosjen e spak lidhur me hetimin e tenderave në AKSH, siguruar nga ZËRI dëshmitë e administratorëve të kompanive kanë zbuluar edhe një skemë të transferimit dhe pastrimit të parave. Konkretisht në harkun kohor të tre viteve 2018–2020–2021, 10 milion euro i janë kaluar me fatura një distributori çokollatash dhe biskotash, kompanisë “Mega Distribution”.

Shoqëria në fjalë është në pronësi të Rogers Rrytës dhe babit të tij. Nga të dhënat e dosjes rezulton se ndër personat e proceduar ndodhet edhe biznesmeni Rogers Rryta.  Në dosje thuhet se gjatë kohës që ka qenë administrator i kompanisë, Rogers Rryta ka patur marrëdhënie tregtare me kompanitë “Fastech” sh.p.k. dhe “Soft & Solution” sh.p.k. për tregtimin e çokollatave dhe biskotave. Nuk e mban mend si ka filluar konkretisht kjo marrëdhënie tregtare. Nuk ka patur kontrata me këto kompani dhe nuk i kujtohet se çfarë produkti kanë blerë ato, si janë transportuar, ku kanë qenë të magazinuara etj.

Në dëshminë e tij ai thekson se aktiviteti i kompanisë së tij kufizohet vetëm në tregtimin e produkteve ushqimore dhe veshjeve, duke theksuar se nuk kanë asnjë lidhje apo aktivitet në fushën e teknologjisë së informacionit apo produkteve IT.

Lidhur me kreditimet me fonde të vazhdueshme gjatë viteve 2018, 2020 dhe 2021, në shumë totale mbi 10 milion euro në llogaritë bankare të subjektit të tij, në monedhat Euro, USD dhe ALL, deklaron se janë pagesa ndaj faturave që bëhen për shitje. Këto fatura lidhen me shitjen e çokollatave dhe biskotave. Këto fonde janë përdorur për të vazhduar aktivitetin tregtar që ai ka. Nuk ka dijeni për aktivitetin tregtar që kryejnë subjektet “Fastech” sh.p.k. dhe “Soft & Solution” sh.p.k. Nuk njeh shtetasin Ermal Beqiri, nuk ka patur ndonjëherë marrëdhënie me të. Nuk njeh shtetasin Andis Papa, nuk ka patur ndonjëherë marrëdhënie me të. Të njëjtin qëndrim deklaron edhe lidhur me shtetasit Ergys Agasi dhe Mirlinda Karçanaj.

Ndërsa pronari i 'Fastech', Andis Papa fillimisht ka deklaruar se blerjet nga 'Mega Distribution' në masën 10 milionë euro përfaqësonin shërbime teknologjie, por kur është vënë përpara fakteve nga hetuesit e BKH se 'Mega' shiste vetem cokollata dhe biskota ka ndryshuar version.

“Sic ju thashë nuk e di mire çfarë kemi blerë. Kemi bërë dhe kontrata me këtë shoqëri. Mbaj mend që ata sillnin produkte nga Turqia.”

Ndaj biznesmenëve Rogers Rryta dhe Andis Papa, SPAK dhe GJKKO kanë caktuar masën e sigurisë bllokim pasaporte, ndërsa hetimet vijojnë.

Poll

MOS HUMB