TIRANË- Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë ka ngritur shqetësime serioze lidhur me ngarkesën e lartë të çështjeve penale me të cilat po përballen gjykatat në vend. Përmes një rezolute zyrtare drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), Shoqata thekson se gjyqtarët e Gjykatës së Shkallës së Parë, Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, si dhe të gjykatave administrative, prej më shumë se 7 vitesh po përballen me një mbingarkesë të vazhdueshme të çështjeve.
Në rezolutën e bërë publike thuhet se mbingarkesa ka çuar në zgjatjen e proceseve gjyqësore dhe zvarritjen e çështjeve. Sipas Shoqatës, kjo situatë ka sjellë cenim të parimit të gjykimit brenda afateve të arsyeshme, ulje të efikasitetit dhe eficiencës, si dhe rënie të besimit të qytetarëve ndaj sistemit të drejtësisë. Në dokument evidentohet edhe ngjarja e rëndë e vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili u vra brenda sallës së gjyqit dy muaj më parë, ku theksohet se vonesat në shqyrtimin e dosjeve kanë krijuar edhe situata ekstreme.
“Kjo situatë ka tejkaluar kufijtë e një vështirësie të përkohshme, duke cenuar drejtpërdrejt respektimin e parimit të gjykimit brenda një afati të arsyeshëm, efikasitetin dhe eficiencën e administrimit të drejtësisë, si dhe perceptimin dhe besimin e publikut ndaj sistemit gjyqësor. Kjo situatë është shoqëruar madje edhe me raste ekstreme të cenimit të jetës së gjyqtarëve, deri te rasti tragjik i kolegut tonë, gjyqtarit z. Astrit Kalaja”,- thuhet në rezolutë.
Shoqata evidenton gjithashtu problematika serioze në sigurinë e gjykatave, duke theksuar mungesën e personelit të trajnuar, pajisjeve të sigurisë, ndarjes funksionale të ambienteve dhe personelit të dedikuar për ruajtjen e rendit gjatë seancave gjyqësore. Kritikohet gjithashtu vendimi i KLGJ-së nr. 433/2025 mbi standardet e vlerësimit të gjyqtarëve, i cili cilësohet jorealist dhe presionues në kushtet aktuale të mbingarkesës, duke rrezikuar cilësinë dhe pavarësinë e gjykimeve.
Mes kërkesave kryesore të Shoqatës drejtuar KLGJ-së janë:
1.Plotësimi urgjent i vakancave të gjyqtarëve,
2.Shtimi dhe trajnimi i stafit administrativ,
3.Përmirësimi i sigurisë në gjykata,
4. Rishikimi ose pezullimi i standardeve aktuale të vlerësimit,
5. Investime në infrastrukturë dhe proceset e digitalizimit.
Në përfundim, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga Këshilli i Lartë Gjyqësor për të shmangur përkeqësimin e mëtejshëm të situatës në sistemin gjyqësor./ZËRI
DOKUMENTI I PLOTË