TIRANË-Për autorët e dyshuar të vrasjes së Pavlin Prekës, Klaudio Lisaj 20 vjeç dhe Vasel Koçeku, 43 vjeç Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”. Dy autorët akuzohen për veprat penale: “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim; “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Prokurori Albert Murçaj, drejtues i Prokurorisë së Shkodrës, kërkoi masën më të rëndë të sigurisë, duke theksuar se ekzistojnë përgjime ambientale, një pjesë e të cilave vijojnë të jenë sekret hetimor. Lisaj dhe Koçeku u arrestuan një ditë më parë, rreth 9 muaj pas ngjarjes. Para Gjykatës, të akuzuarit kanë deklaruar se nuk kanë qenë në vendin e ngjarjes dhe se nuk kanë asnjë lidhje me vrasjen.
Sipas burimeve hetimore, vrasja dyshohet se ka si motiv një konflikt të gjatë që lidhet me dëshirën e viktimës për t’u fejuar me vajzën e Vasel Koçekut, e cila aktualisht është 16 vjeçe. Historia, sipas hetimeve, nis rreth tre vite më parë, kur Pavlin Preka i kishte kërkuar dorën për fejesë familjes Koçeku. Në atë kohë, vajza ishte vetëm 13 vjeçe, ndërsa Preka 17 vjeç. Kërkesa ishte refuzuar menjëherë nga babai i saj, Vasel Koçeku duke i thënë se nuk kam vajzë për të dhënë sepse është shumë e vogël.
Edhe pse kërkesa ishte refuzuar nga familjarët, gjatë viteve në vijim Preka ka vijuar të shfaqë interes dhe këmbëngulje për vajzën. Sipas hetimeve dyshohet se mëngjesin e 20 shkurtit, Klaudio Lisaj, i njohur i viktimës dhe i familjes Koçeku, e ka nxjerrë Pavlin Prekën nga banesa e tij në Guci të Re. Më pas, sipas dyshimeve të prokurorisë, Vasel Koçeku e ka qëlluar me armë zjarri, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Pavlin Preka u qëllua me 6 plumba në oborrin e banesës së tij, ku jetonte i vetëm. Ai është qëlluar me armë zjarri tip pistoletë në pjesën e gjoksit dhe se uniformat blu kanë gjetur vetëm një gëzhojë në oborrin e shtëpisë. 20-vjeçari kishte 4 ditë që ishte kthyer në banesë, në fshatin Guci e Re, pasi i riu jetonte mes Dukagjinit dhe Gucisë bashkë me babanë dhe të vëllain pasi merreshin me bagëti. Trupi i pajetë i Prekës u gjet nga xhaxhai i tij. Ky i fundit kishte shkuar ta kontrollonte pasi nipi nuk i ishte përgjigjur në telefon./ZËRI