
ANGLI- Kryeministri anglez Keir Starmer gjatë konferencës së tij me homologun Edi Rama në Tiraë, u shpreh se gjatë qeverisjes së tij është shumëfishuar numri emigrantëve ilegal të dëbuar. Ai bëri me dije se edhe ata që janë dëbuar, por janë rikthyer sërish duke shkelur urdhrin e dëbimit do të përballen me ligjin.
Sipas gazetës “Mail on Sunday”, njëri prej tyre është edhe Alket Dauti, i cili u dënua me 8 muaj burg javën e kaluar, pasi hyri sërish ilegalisht në Angli duke thyer urdhrin e dëbimit. Hyrja e tij, u zbulua nga gazetarët britanik, pasi Dauti, i cili njihej si mbret i trafikut të shqiptarëve me kamionë nga Belgjika, publikoi foto duke qarkulluar me një makinë rrugëve të Londrës. Ai u ekstradua nga Anglia në Belgjikë, pasi ishte dënuar për trafik të qenieve njerëzore. Në grupin kriminal që drejtonte ai njihej me pseudonimin “mjekra”.
Pasi përfundoi dënimin, ai u dëbua nga Belgjika në Shqipëri, por u rikthye sërish ilegalisht në Londër, ku ndodhej edhe familja e tij. Alket Dauti pranoi akuzat për hyrje ilegale në Angli. Ai e ndoqi gjyqin e tij përmes një video-telefonate nga qelia, ku gjykatësi u shpreh se “e kam lexuar letrën prekëse nga bashkëshortja juaj. Por, nuk mund ta injoroj faktin që ju u futën në Britaninë e Madhe ilegalisht”.
Sipas Mail on Sunday, pak para përfundimit të dënimit me 8 muaj burg, Alket Dauti do të vizitohet nga oficeret e Ministrisë së Punëve të Brendshme Home Office për të parë nëse ai mund të aplikojë për të qëndruar në Angli ku ka edhe familjen. Nëse nuk plotëson kriteret ligjore të emigracionit ai do të dëbohet përmes fluturimeve të përjavshme të Home Office, Londër-Tiranë./ZËRI