TIRANË-Seanca e radhës për kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe ish-deputeten Monika Kryemadhi, ka vijuar me debate edhe mes ish-çiftit të bashkëshortëve. Shkak për debatin u bë deklarata e Metës, i cili u shpreh në sallën e gjyqit se nuk ka dijeni se çfarë ka bërë Kryemadhi.
“Nuk ekziston asnjëlloj ndikimi për Adrian Shatkun. As për askënd tjetër. Asnjë SMS për Monika Kryemadhin, Piro Xhixhon. Edhe një interes që mund të ishte i ligjshëm. As me Theodhori Çamin, që e ka mbiemrin Çami, po ka therur çamë. Kjo është histori UDB-je, edhe Adrian Shatku duhet të kishte ardhur këtu sapo dëgjoi emrin, se ka ngrënë bukë në shtëpinë time. Adrian Shatku u largua në 1989, e mori UDB-ja, pastaj iku në Amerikë. Kjo është histori UDB-je dhe agjenturash greke. Nuk kam asnjë dijeni për veprimet e Monika Kryemadhit, i di vetë ajo. Ato historitë e mesazheve i di zonja Kryemadhi,” deklaroi Meta.
Kryemadhi u përgjigj duke thënë se ai merret me thashethemet e Tedi Blushit dhe ish-kreut të SPAK Altin Dumani.
“Boll se nuk është ashtu. Me llafet që të sjell Altin Dumani, thashetheme flet këtu. Mos u merr me llafe grash. Akoma merresh me thashethemet e Tedi Blushit?”
Po ashtu Kryemadhi deklaroi se ka 4 vite që duron Tedi Blushin dhe i drejtohet ashpër, teksa edhe ai është prezent në sallë.
“Kam 4 vjet që e dëgjoj dhe e duroj. Edhe babai im të çohet nga varri, nuk e duroj dot më. Do të t’i lexoj dhe unë mesazhet ty, të marrësh vesh. Me llafet e këtij rrogëtari merresh ti?”
Pas debatit ka pasur ndërhyrje nga gjykata ku ka paralajmëruar palët se do t’i nxjerrë nga salla.
“Do ju nxjerr nga salla e gjyqit. Paralajmërojmë të pandehurën Monika Kryemadhi, nëse e përsërisni, do largoheni nga seanca dhe do gjobiteni”.