DURRËS-Gjykata e Durrësit, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për 27-vjeçarin Meklan Meçe, i akuzuar për vrasjen me thikë të fqinjit të tij, Rrapush Memolla, 60 vjeç, ngjarje e ndodhur mbëmjen e 20 qershorit në Rrogozhinë. Ngjarja ndodhi pas një konflikti të çastit me fqinjin e tij, në lagjen “Mollaj”, ku Meçe qëlloi me thikë për vdekje Rrapush Memollën, 60 vjeç. Përpara trupit gjykues, 27-vjeçari ka mohuar se kishte pasur qëllim ta vriste 60-vjeçarin, duke pretenduar se kishte vepruar në kushtet e vetëmbrojtjes.
“Në atë ngjarje kam qenë unë dhe viktima. Ai më ka goditur i pari dhe unë kam mbrojtur veten time. Nuk kam dashur ta vras. Edhe mua më vjen keq, unë nuk jam vrasës”, është shprehur ai para gjykatës.
I pyetur nëse kishte pasur konflikte personale me Rrapush Memollën, Meçaj ka deklaruar se mes tyre nuk kishte pasur përplasje të mëparshme, por ka pohuar se viktima kishte pasur mosmarrëveshje me një kushëri të tij.
“Jo, unë personalisht me atë personin… po kushëriri im ka pasur konflikte. Jo me mua, me mua asgjë, unë kurrë s’kam folur me atë”, ka dëshmuar ai.
Mësohet se Meçaj ka qenë i dënuar më parë në Gjermani. Në përfundim të seancës, Gjykata e Durrësit pranoi kërkesën e Prokurorisë dhe vendosi ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, duke e lënë në qeli deri në përfundim të hetimeve./ZËRI
