VLORË-Situata në kantierin e Aeroportit të Vlorës vijon të jetë e tensionuar për të 3-tën ditë radhazi. Rojet e sigurisë nuk kanë lejuar punonjësit e kompanisë MABCO të hyjnë në ambientet e terminalit dhe në zonën e aeroportit për të vijuar punimet.
Përfaqësues të kompanisë 2A Group kanë bllokuar hyrjet dhe punimet brenda aeroportit, ndërsa përfaqësues të MABCO kanë bllokuar hyrjen kryesore të kantierit.Kamionët e kompanisë 2A Group, në pronësi të Valon Ademit, prej ditës së djeshme (23 qershor) mbajnë të bllokuara hyrjet në kantier.
Përfaqësuesi i MABCO, Emin Pacolli, ka deklaruar se ekziston një vendim gjykate që u jep të drejtën të hyjnë dhe të vijojnë punimet, duke theksuar se 2A Group ka bllokuar në mënyrë të paligjshme hyrjen. Forcat e policisë kanë shkuar në kantier, por sipas deklarimeve të bëra në terren, nuk kanë ndërmarrë veprime për zhbllokimin e situatës, duke argumentuar se janë në pritje të urdhrave dhe procedurave përkatëse nga organet kompetente.
Rikthimi i punonjësve të 'Mabco'-s në kantier vjen pas vendimit të Gjykatës së Lartë që i riktheu kompanisë së biznesmenit Pacolli të drejtën e administrimit.
Përplasja mes dy kompanive solli bllokim e punimeve në Aeroportin e Vlorës, prej rreth 10 ditësh gjatë muajit maj, deri në një vendim të Gjykatës së Lartë. Më herët dy gjykatat e faktit i kishin dhënë të drejtë kompanisë “2A Group” në lidhje me kërkesën për sigurimin e padisë dhe pezullimin e të drejtave vendimmarrëse të ortakut tjetër ‘Mabco’ deri sa vendimi të merrte formë të prerë.
Gjykata vendosi më 26 maj që të rrëzojë kërkesën për sigurimin e padisë të paraqitur nga kompanitë “Vlora International Airport” dhe “2A Group”, të biznesmenit Valon Ademi dhe t’i japë të drejtë sipërmarrësit Behgjet Pacolli, duke lejuar kthimin e tij në Aeroportin e Vlorës.
