GREQI-Policia ka arrestuar 4 persona për vrasjen e Giorgos Moschouris, anëtar i mafias greke, ngjarje e ndodhur në prill 2025 në Chalandri. Mediat fqinje raportojnë se dy shtetas grekë me origjinë shqiptare, të quajtur Dhionis Kokoni dhe tjetri me mbiemër Jupe si dhe dy grekë të tjerë, të quajtur Dhimitris Aleksopoulos dhe Aleksandros Petropoulos akuzohen se kanë qenë grupi mbështetës për autorët e krimit që vranë 55-vjeçarin jashtë një klinike private në Halandri, më 24 prill 2025.
Policia vlerëson se katër të dyshuarit kishin marrë përsipër pjesën operative të vrasjes, duke siguruar armë, automjete, transport dhe mbështetje për ekzekutorët e huaj që mbërritën në Greqi ekskluzivisht për ekzekutimin dhe u larguan menjëherë më pas.
Hetimet e policisë greke tani janë përqendruar tek i ashtuquajturi "Entik", i cili konsiderohet si një figurë kryesore në mafian rusishtfolëse dhe thuhet se ndodhet në Dubai. Policia beson se urdhri për vrasjen e Moskouris lidhet me mosmarrëveshjen mbi kontrollin e kontrabandës së duhanit, një aktivitet në të cilin thuhet se "Thamnakias" është përfshirë kohët e fundit. Vrasja e Jorgos Moskouris ndodhi pasditen e 24 prillit 2025, jashtë një klinike private në Halandri. Autorët kishin ngritur një pritë dhe kishin hapur zjarr me kallashnikovë ndërsa viktima po shkonte drejt automjetit të tij.
Hetimi përfshin edhe emrin e Janis Lalas, i cili më parë kishte bashkëpunuar me viktimën dhe më pas dyshohet se është afruar me grupe rivale kriminale.
Katër të arrestuarit përballen gjithashtu me akuza për raste të tjera të krimit të organizuar, përfshirë një shpërthim në një shitës makinash në Nea Erythraia në gusht 2024, një kompani që dyshohet se kishte bashkëpunim me Moskouris. Ata akuzohen gjithashtu për shkelje të të dhënave personale, pasi dyshohet se kanë instaluar një pajisje GPS në automjetin e një avokateje e cila ishte e lidhur me një udhëheqës të burgosur të mafias greke.
Pavarësisht arrestimeve, autorët e vërtetë të ekzekutimit mbeten të lirë. Autoritetet po kërkojnë të paktën dy autorë të huaj.
