LEZHË-Adriano Mhillaj 22 vjeç, Renato Mhillaj 23 vjeç dhe Florin Mëhillaj 36 vjeç janë shpallur në kërkim si autorë të vrasjes së çiftit të bashkëshortëve, Kreshnik dhe Gentiana Mujeci. Renato Mhillaj është djali i Genc Mhillajt ndërsa Adriano dhe Florin janë dy nipat e tij. Atentati i çiftit Mujeci ka ndodhur për arsye hakmarrjeje.
Për të kryer ekzekutimin janë përdorur dy automjete, një 'Audi A4' dhe një 'Volkswagen'. Bazuar në pamjet filmike të kamerave të sigurisë automjeti tip “Audi A4” ka mbajtur në vëzhgim lëvizjen e Kreshnik Mujecit. Më pas, një automjet tjetër, tip “Volkswagen”, pa targa, dyshohet se i ka prerë rrugën automjetit ku udhëtonte çifti Mujeci dhe është qëlluar me breshëri plumbash në drejtim të tyre.
Vrasja e Gent Mëhillit
Viktima Mujeci, së bashku me dy vëllezërit e tij, Lin Mujeci dhe Jozef Mujeci, dyshohen për vrasjen e Gegë Mëhilli, i njohur dhe si Gent Mëhilli, më 6 tetor 2016. Ngjarja ndodhi në rrugën nacionale Shkodër- Velipojë, pranë vendit të njohur si Mali i Jushit.
Jozef Mujeci, së bashku me vëllezërit e tij, i kishin prerë rrugën kamionit me të cilin Mëhilli transportonte miell. Kur ai braktisi automjetin dhe tentoi të largohej përmes fushave, vëllezërit hapën zjarr ndaj tij duke e lënë të vdekur në vend. Shkak për ngjarjen, ishte bërë një konflikt mes viktimës dhe vëllezërve një ditë më parë.
Mujeci, u akuzua për veprën penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim. Ai dhe vëllai i tij u arrestuan një vit më vonë, në operacionin e koduar “One Year”. Më pas, sipas një vendimi të vitit 2018 nga Gjykata e Shkodrës, Mujeci u shpall u pafajshëm lidhur me vrasjen në fjalë, me argumentin se “nuk provohet ta ketë kryer veprën penale për të cilën akuzohet”. Më 27 nëntor 2018 Shkalla e Parë e Gjykatës së Shkodrës e shpalli të pafajshëm Jozef dhe Kreshnik Mujecin për vrasjen e Genc Mhillaj duke konsideruar mungesë provash./ZËRI