TIRANË-Mbi dy javë nga atentati mafioz i ndodhur në Rinas mesditën e 11 nëntorit dhe ende nuk ka një asnjë autor, apo të arrestuar në lidhje me ekzekutimin e Gilmando Danit dhe punonjësit të AMP-së Muçi Shaljani. Dinamika e krimit nuk është sqaruar ende, ndërsa sipas burimeve raportohet se në ekzekutimin e mikut të Emiljano Shullazit kanë marrë pjesë 8 persona. Gazetari Igli Çelmeta ka deklaruar se për vrajsen e Danit janë ofruar 5 milionë euro, ndërsa të implikuar janë edhe punonjës të policisë.
“Lidhur me ngjarjen e rëndë ka informacione që për Gilmando Danin janë ofruar 5 milionë euro. Dhe kanë marrë pjesë në atentat 8 persona. Nuk janë vetëm ata që dalin, por është një logjistikë ka të implikuar edhe punonjës zyrtar të policisë rrethi është shumë i gjerë, por edhe pagesa për një atentat në një vend të sigurt si aeroporti janë vrasës me pagesë që nuk e dinë se kush është porositësi. Një ish-komando e ish-ushtarak të godet me tek plumb në gjoks. Ata janë punëtorë krimi. Nga rrethi i Rinasit deri te komisariati është 150 metra. Atentati i Rinasit është një ndër atentate e mirëorganizuar e mirëmenduar, por edhe një nga ngjarjet më kriminale, jo vetëm për ashpërsinë e atentatit, por për vendin ku ndodhi, vetëm 5 metra nga dalja e parkingut. Policia e Shtetit ka informacione që nuk i siguron vetëm nga hetimet në mbledhjen e provave, por edhe nga kontigjentë kriminalë. Policia ka lidhje të ngushta me grupet kriminale”, është shprehur gazetari në A2 CNN.
Gilmando Dani humbi jetën në vendngjarje, ndërsa Shaljani u nda nga jeta disa ditë më vonë në spital si pasojë e plagëve të marra.
Si ndodhi atentati i Rinasit
Gilmando Dani, mik dhe bashkëpunëtor i Emiljano Shullazit u ekzekutua mesditën e 11 nëntorit me breshëri plumbash pranë aeroportit 'Nënë Tereza', teksa i plagosur rëndë mbeti edhe miku i tij, që e shoqëronte Muçi Shaljani Sheqeri, agjent i AMP-së. Ndaj automjetit të tyre 'Benz' u qëllua nga persona të paidentifikuar me një mjet tip “Toyota Yaris”, e cila u gjet e djegur pak minuta pas ngjarjes në Fushë Krujë. Autorët e maskuar dhe të veshur me uniforma që ngjanin me ato të policisë, kanë qëlluar në drejtim të mjetit, duke e ndaluar atë në vend. Më pas, një prej autorëve ka zbritur nga makina, ka rimbushur armën dhe ka qëlluar sërish në drejtim të Gilmando Danit, i ulur në sediljen e pasagjerit.
Gilmando Dani sapo kishte mbërritur me mikun e tij në Shqipëri nga Barcelona, Spanjë. Të dy ishin nisur me avion drejt Barcelonës më 7 nëntor dhe kishin lënë makinën të parkuar në aeroport, ndërsa u kthyen nga Barcelona më 11 nëntor. Avioni me të cilin udhëtonte Dani zbriti në tokën shqiptare në orën 13:55, rreth 35 minuta para orarit të planifikuar. Atentati ka ndodhur 25 minuta më pas në rrethrrotullimin e Rinasi.
Në lidhje me ngjarjen Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Eduart Merkaj, ka urdhëruar pezullimin e zinxhirit komandues të strukturës së Forcës së Posaçme Operacionale të AMP-së, pas atentatit./ZËRI



