
TIRANË- Muçi Shaljani, agjent i Agjensisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka ndërruar jetë 5 ditë pas atentatit mesditën e 11 nëntorit pranë Aeroportit të Rinasit. Shaljani ndodhej prej 4 ditësh në intubim në spitalin e Traumës në gjendje të rëndë shëndetësore, pasi mbeti i plagosur me 10 plumba, 2 në kokë dhe 8 në trup, në atentatin ku u ekzekutua Gilmando Dani, mik dhe bashkëpunëtor i Emiljano Shullazit. Agjenti i AMP-së, ishte shofer në mjetin tip 'Benz' me pasagjer Danin ku u qëlluan me breshëri plumbash kallashnikovi sapo dolën nga aeroporti i Rinasit.
"Në vijim të informacionit të dhënë më datë 11.11.2025, mbi ngjarjen e ndodhur tek rrethrrotullimi i Rinasit, ju informojmë se shtetasi M. Sh. (Sh.), i cili mbeti i plagosur, ka humbur jetën gjatë natës.", njofton policia.
Si ndodhi atentati i Rinasit
Gilmando Dani, mik dhe bashkëpunëtor i Emiljano Shullazit u ekzekutua mesditën e 11 nëntorit me breshëri plumbash pranë aeroportit 'Nënë Tereza', teksa i plagosur rëndë mbeti edhe miku i tij, që e shoqëronte Muçi Shaljani Sheqeri, agjent i AMP-së. Ndaj automjetit të tyre 'Benz' u qëllua nga persona të paidentifikuar me një mjet tip “Toyota Yaris”, e cila u gjet e djegur pak minuta pas ngjarjes në Fushë Krujë. Autorët e maskuar dhe të veshur me uniforma që ngjanin me ato të policisë, kanë qëlluar në drejtim të mjetit, duke e ndaluar atë në vend. Më pas, një prej autorëve ka zbritur nga makina, ka rimbushur armën dhe ka qëlluar sërish në drejtim të Gilmando Danit, i ulur në sediljen e pasagjerit.
Gilmando Dani sapo kishte mbërritur me mikun e tij në Shqipëri nga Barcelona, Spanjë. Të dy ishin nisur me avion drejt Barcelonës më 7 nëntor dhe kishin lënë makinën të parkuar në aeroport, ndërsa u kthyen nga Barcelona më 11 nëntor. Avioni me të cilin udhëtonte Dani zbriti në tokën shqiptare në orën 13:55, rreth 35 minuta para orarit të planifikuar. Atentati ka ndodhur 25 minuta më pas në rrethrrotullimin e Rinasi.
Si Muçi Shaljani "i futi këmbët" në AMP?
Burime bëjnë me dije për ZËRI-n se Muçi Shaljani u bë pjesë e AMP-së gjatë muajit shtator, kur ky institucion drejtohej nga Artjol Saliasi pas shkarkimit të Florjan Sulejmanit. Drejtori i ri i kësaj strukture, Eduart Merkaj, me marrjen e detyrës, kishte kërkuar rishikimin e një sërë kontratash që ishin nënshkruar me agjentët, përfshirë dhe Shaljanin. Dëshmia e tij do të ishte me vlerë të madhe për hetimin e ngjarjes, por Shaljani nuk arriti të mbijetonte. 40-vjeçari rezulton gjithashtu që të jetë pronar i një hoteli në Tiranë.
Në lidhje me atentatin dy oficerë: një efektiv i komisariatit numër 3 në Tiranë dhe një polici i zonës. Nënkomisari Bruno Cara me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve dhe Inspektor Ashim Zajmi, me detyrë Nd/Specialist i Policimit në Komunitet, janë të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Falsifikim i vulave i stampave ose i formularëve" dhe "Shpërdorim i detyrës". Ata dyshohet se kanë favorizuar të plagosurin Shaljani, që të bëhej pjesë e AMP-së, ku në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë përpiluar Vërtetimin e Besueshmërisë për Muçi Shaljanin.
Ndërkohë Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Eduart Merkaj, ka urdhëruar pezullimin e zinxhirit komandues të strukturës së Forcës së Posaçme Operacionale të AMP-së, pas atentatit. Hetimet vijojnë si për komandimin e Muçi Shaljanit si agjent i AMP-së, gjithashtu edhe për kapjen e atentatorëve./ZËRI





