TIRANË-Festat e fundvitit përveç atmosferës festive dhe rikthimit në atdhe, shoqërohen edhe me 'stresin' e radhëve të gjata nëpër porte dogana dhe trafikun. Fluksi i lëvizjeve në portin detar të Vlorës vijon të jetë i lartë në prag të festave të fundvitit pasi emigrantët po kthehen të festojnë në atdhe.
Vetëm mëngjesin e sotëm në port kanë mbërritur 446 pasagjerë. Gjithashtu, në port kanë hyrë edhe 109 automjete, si dhe disa kamionë dhe autobusë, çka tregon një rritje të ndjeshme të qarkullimit detar gjatë kësaj periudhe festive.
Edhe në pikën kufitare të Morinës gjatë 24 orëve të fundit fluksi ka qenë i lartë. Nga Policia Kufitare dhe Migracioni Morinë, në hyrje të territorit shqiptar janë regjistruar 10 mijë e 684 shtetas, të cilët kanë kaluar kufirin me 4 mijë e 472 automjete.
Ndërkohë, fluksi më i madh është shënuar në dalje. Përgjatë 24 orëve të fundit, nga Shqipëria kanë dalë 12 mijë e 601 shtetas, me 4 mijë e 976 automjete, çka tregon një lëvizje më të theksuar drejt Kosovës. Autoritetet bëjnë me dije se në pikën kufitare të Morinës po punohet me 12 sportele, si në hyrje ashtu edhe në dalje.
Por jo vetëm në dogana e porte! Edhe akset kryesore të vendit regjistrojnë një lëvizje të lartë automjetesh kryesisht gjatë sezoneve festive. Prej ditësh tashmë një situatë kaosi me trafikun është ajo në aksin rrugor Elbasan-Librazhd, i cili është rënduar nga radhët kilometrike të automjeteve.
Elbasani është thuajse i pakalueshëm në te gjitha hyrjet e daljet e tij. Aksi Elbasan-Librazhd përballet pothuajse çdo ditë me këtë situatë kohë e fundit, pasi shqiptarët,emigrantët e ardhur në atdhe, i drejtohen masivisht Korçës.
Ndërkohë, autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar dhe, nëse është e mundur, të shmangin udhëtimet gjatë orëve të pikut./ZËRI