TIRANË-Gazeta e Luksemburgut " Luxemburger Wort" i ka kushtuar një artikull Aldo Gjinit, i njohur si "bjondi"një prej personave të ndaluar në operacionin e fundit të SPAK kundër grupit të strukturuar kriminal “Rraja”. Në Luksemburg, Aldo Iamandi (Gjini) u bë i njohur pas të shtënave me armë zjarri më 24 nëntor 2020 në një lokal nate në Remich.
Në Luksemburg, Gjini rezulton i dënuar me 12 vjet burg për tentativë vrasjeje. Megjithatë, Dhoma e 12-të Penale e dënoi vetëm me 30 muaj burg, për posedim të paligjshëm armësh dhe plagosje. Ai nuk bëri ankim, ndaj vendimi është i formës së prerë.
Plagosja për shoqëruset
Mbrëmjen e 24 nëntorit 2020, Aldo ndodhej në një lokal nate në Remich, ku rreth orës 22:30 shpërthen një konflikt me një bashkëkombës, i cili dëshiron t’i ftojë për një gotë tre shoqërueset e Aldos dhe e prek njërën prej tyre në krah. Sipas hetimeve, kundërshtari tenton ta sulmojë Aldon bashkë me disa shokë të tij, të cilët thuhet se ishin të armatosur me shkopinj. Aldo shkon te makina e tij, merr një armë zjarri, e ndjek personin dhe e qëllon katër herë me një pistoletë të kalibrit të madh.
Mëngjesin para të shtënave në Remich, dogana holandeze njoftoi zbulimin e 475 kilogramëve kokainë në portin e Vlissingenit. Droga ishte fshehur në një kontejner me banane nga Ekuadori dhe u zbulua më 23 nëntor 2020 gjatë një kontrolli të rastësishëm. Vlera e saj në treg vlerësohej rreth 23 milionë euro.
Tetë muaj më vonë, në korrik 2021, Aldo përfshihet në një tjetër incident me armë zjarri në Tiranë. Deri atëherë, ai kishte arritur t’i shmangej plotësisht ndjekjes penale nga Luksemburgu. Tashmë, edhe autoritetet shqiptare e shpallin në kërkim. Shënjestra e atentatit në Tiranë thuhet se ishte shoku më i ngushtë i pronarit të lokalit në Remich.
Sipas hetimeve, grupi kriminal ku bënte pjesë edhe Aldo qëndron pas kontrabandës së drogës drejt Vlissingenit. Është e sigurt se ai ndodhej në Luksemburg që prej të paktën 21 nëntorit 2020. Të dhënat e SkyECC përbëjnë bazën edhe për hetimet e reja në Shqipëri. Në biseda, drejtuesit e bandës shkëmbenin foto të ngarkesave të drogës dhe artikuj mediatikë për kapjen e drogës në portin holandez.
Gazeta e Luksemburgut shkruan se iudhëheqës i klanit mafioz shqiptar akuzohet Rexhep Raja, djali i një ish-deputeti Rrahman Rrajës. Grupi i dyshuar kriminal dyshohet për 3 episode trafiku të lëndëve narkotike, teksa kanë qenë bisedat në Sky Ecc që nxorrën zbuluar aktivitetin e tyre. Roli i Aldo Gjinit ishte pikërisht ajo e emërimit të pakove të aluminit.
Aksioni i SPAK
SPAK urdhëroi një operacion të gjerë në Nikël, mëngjesin e së mërkurës, 10 dhjetor, kundër grupit kriminal të njohur si “Rraja”, duke çuar në 14 urdhër-arrest, 10 prej të cilave u ekzekutuan. Grupi në fjalë akuzohet për veprat penale trafikimi i lëndëve narkotike, e kryer në bashkëpunim në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal.
Masa "arrest me burg" është caktuar ndaj: Islam Sefa, Rexhep Rraja (djali i ish-deputetit të PS-së, Rrahman Rraja), Agim Nina, Përparim Rraja, Gazmir Rraja, Zamir Aliaj, Aldo Gjini, Sokol Qaja dhe Jani Çavo. Ndërkohë, gjatë kontrolleve në banesa janë gjetur dhe sekuestruar shuma të konsiderueshme në lekë, euro dhe dollarë, si dhe makina luksoze, armë, ora Rolex dhe dokumente të ndryshme./ZËRI

