BULQIZË- Makina e gazetarit Sami Curri është përfshirë nga flakët gjatë natës në Bulqizë, në një ngjarje që dyshohet të jetë zjarrvënie e qëllimshme për shkak të detyrës. Sipas njoftimit të policisë, automjeti tip “Ford Fiesta” ishte i parkuar pranë banesës së gazetarit, në afërsi të një pallati në qytet, kur u përfshi nga zjarri rreth orës 02:58 të mëngjesit.
Paraprakisht dyshohet për djegie të qëllimshme, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Njoftimi i Policisë:
Rreth orës 02:58, të datës 26.04.2026, shërbimet e Policisë janë njoftuar nga shtetasi S. C., banues në Bulqizë (me profesion gazetar), se automjeti i tij tip “Ford Fiesta” ishte përfshirë nga flakët, ndërkohë që ishte i parkuar pranë banesës së tij.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë, grupi hetimor dhe shërbimi zjarrfikës kanë shkuar në vendngjarje.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon intensivisht veprimet për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të rastit, identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorit/ve, pasi paraprakisht dyshohet për djegie të qëllimshme.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe vetë gazetari Sami Curri. Në një deklaratë publike, Curri shprehet se zjarri në automjet nuk ka qenë aksidental, por një akt i paramenduar, i cili sipas tij, lidhet drejtpërdrejt me punën e tij si gazetar. Sipas tij, ngjarja lidhet drejtpërdrejt me temat dhe raportimet e tij të fundit, të cilat kanë trajtuar çështje me interes publik.
Në përfundim të reagimit, gazetari i ka bërë thirrje institucioneve që të hetojnë me seriozitet rastin, të identifikojnë autorët dhe t’i vënë përpara drejtësisë.
Reagimi i gazetarit:
Fort të nderuar miq, kolegë dhe komuniteti i gazetarëve,
Së pari, gjej rastin t’ju falënderoj për çdo mesazh kujdesi, mbështetjeje dhe solidariteti! Në situata të tilla, këto fjalë dhe ky qëndrim më ka ndihmuar shumë për ta përballuar më lehtë dhe për të kuptuar se nuk jemi vetëm.
Sot, rreth orës 02:45 të mëngjesit, vetëm pak metra larg banesës sime në Bulqizë, është djegur qëllimisht makina ime. Nga sa kam konstatuar, nuk bëhet fjalë për një zjarr aksidental, por për një akt të pastër dhe të paramenduar.
Prej afro 10 vitesh punoj si gazetar dhe me shumë përkushtim kam themeluar Bulqizaime.al, me synimin për të ndërtuar një media lokale të pavarur, profesionale dhe në shërbim të qytetarëve. Gjithmonë jam përpjekur t’i qëndroj besnik misionit të gazetarisë: mbrojtjes së interesit publik, raportimit të paanshëm dhe zërit të komunitetit.
Këtë e kam bërë që nga dita e parë dhe do të vazhdoj ta bëj, pavarësisht çdo presioni apo përpjekjeje për të më intimiduar. Fundja, kur zgjedh të jesh i drejtë, i ndershëm dhe i përkushtuar ndaj profesionit, përballja me vështirësi dhe shqetësime të tilla bëhet pjesë e rrugës që nuk mund ta shmangësh.
Ngjarja e ndodhur është e lidhur drejtpërdrejt me punën time si gazetar. Këtë e kam deklaruar qartë edhe para oficerëve të policisë dhe grupit hetimor.
Ky është një mesazh frikësimi, por dua ta them qartë: ata që e kanë bërë këtë akt nuk do të arrijnë të më kërcënojnë apo të më ndalin. Për mua, gazetaria nuk është thjesht profesion, por mision në shërbim të publikut dhe do të vazhdoj ta ushtroj me të njëjtin përkushtim, me çdo çmim.
Prej javësh kemi qenë përballë përpjekjeve të vazhdueshme për të ndikuar dhe ushtruar presion mbi punën tonë, veçanërisht për temat që kemi trajtuar dhe ato që janë ende në proces raportimi. Megjithatë, çdo shqetësim i qytetarëve, çdo hall i një banori që i preket jeta, prona apo e drejta, do të gjejë gjithmonë derën tonë të hapur dhe hapësirën e nevojshme për t’u dëgjuar.
Mbrojtja e interesit publik, çështjet e mjedisit, problemet e komunitetit dhe protestat që lindin në çdo cep të Dibrës kanë gjetur dhe do të vazhdojnë të gjejnë vend në raportimin tim. Kjo është dhe do të mbetet misioni im kryesore në çdo moment: të jemi në anën e publikut dhe të së vërtetës.
Falënderoj të gjithë kolegët, organizatat e gazetarëve, miqtë dhe qytetarët që kanë reaguar dhe kanë kërkuar zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje!
Besoj dhe kërkoj që institucionet përgjegjëse ta hetojnë me seriozitet maksimal këtë rast, të identifikojnë autorët dhe t’i vendosin përpara drejtësisë! Kjo jo vetëm për të zbardhur këtë ngjarje, por edhe për të mos lejuar që raste të tilla të përsëriten apo të shërbejnë si nxitje për akte të ngjashme ndaj gazetarëve dhe kujtdo që ushtron detyrën në interes të publikut.
As frika, as presioni dhe as sulmet nuk do të më ndalin në detyrën time për të raportuar. Koha do e tregojë më së miri këtë që po them./ZËRI