TIRANË- Kompanitë e Ermal Beqirit janë nën hetim nga SPAK për tenderat dhe abuzimet në bashkëpunim me drejtoren e AKSH-it, Linda Karçanaj, ndërsa KLGJ i jep tenderin 2 milion euro. Boldnews raporton se sipas dokumentave rezulton se tenderi është fiktiv me fitues të paracaktuar.
Pse u anulua tenderi në gusht 2025?
Në maj 2025, u njoftua tenderi i Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) me objekt: “Blerje soft/ hardware për rritjen e kapaciteteve të sigurisë kibernetike”. Fondi limit i procedurës ka qenë plot 171 399 667 lekë pa TVSH.
Kur pritej të shpallej fituesi, procedura u anulua papritur në 11 gusht 2025. Nga dokumentet e dorëzuara në Agjencinë e Prokurimit Publik, mësojmë se anulimi u bë për shkak se “u konstatua se dokumentet e tenderit përmbanin gabime ose mangësi të rëndësishme”.
Nuk bëhet e ditur se çfarë mangësish kishte tenderi, por në rishpalljen e tij nuk dallohet asnjë ndryshim shifrash apo kriteresh.
Konkurrentë fiktivë në tenderin e KLGJ-së
Tenderi i KLGJ-së është hapur sërish në tetor 2025, ndërsa fituesi është shpallur më 18 nëntor 2025.

Procedura është haptazi fiktive dhe duhej anuluar, pasi janë skualifikuar të gjithë pjesëmarrësit përveç fituesit, që është Ermal Beqiri në bashkëpunim me kompaninë e Gentian Likajt.
Kompanitë që kanë marrë pjesë: Bashkimi i operatorëve “SOFT & SOLUTION” shpk e Ermal Beqirit dhe “COMMUNICATION PROGRESS” me pronar Gentian Likajn që kanë bërë ofertën: 159.392.550 lekë pa tvsh
Kampania e dytë pjesëmarrëse është “SINTEZA CO”, shpk me ofertë me vlerë 0 (zero) lekë.
Operatori i tretë është “iCom” shpk me propozimin me vlerë 0 (zero) lekë.
Së fundmi, vjen kompania “FIRST SH.P.K” që ka bërë ofertën 166.220.000 lekë pa tvsh.

Të tri kompanitë janë skualifikuar nga komisioni i vlerësimit të ofertave sepse nuk kanë dorëzuar asnjë formular vetdeklarimi, apo pasqyra financiare, madje kjo e fundit nuk ka bërë as sigurimin e ofertës. Pra, pjesëmarrja e tyre ka qenë vetëm sa për të shënuar emrin në këtë procedurë.

Nga verifikimi që bëmë, FIRST shpk i përmbush të gjitha kriteret e kërkuara në këtë tender, por me sa duket është tërhequr qysh në fillim duke mos dorëzuar dokumentet e kërkuara. Nëse këta operatorë ishin në një marrëveshje me fituesin apo me komisionin e tenderit, këtë mund ta hetojë SPAK, por me shkresat që janë bërë publike, i vetmi vendim i ndershëm që mund të merrej, ishte anulimi.
Koincidenca tjetër ka të bëjë me faktin e tenderi është shtyrë në momentin që u mor vesh se BKH e urdhëruar nga SPAK, po kontrollonte zyrat e kompanisë së Ermal Beqirit.
Më 15 Shtator 2025, biznesmeni Ermal Beqiri është thirrur në zyrat e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, ndërsa disa javë më parë ishin kontrolluar zyrat e kompanisë së tij kryesore. Beqiri dyshohet për korrupsion në tenderat e AKSHI-t.
Në lidhje me këtë, Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) Mirlinda Karçanaj u paraqit në 3 dhjetor 2025, në Prokurorinë e Posaçme. SPAK është duke hetuar për 12 procedura tenderuese, në vlera të konsiderueshme që lidhen me mirëmbajtjen e serverave të institucioneve të rëndësishme. Ndërkaq, gjatë ditëve të fundit, hetuesit kanë thirrur dhe marrë në pyetjeve 25 zyrtarë të AKSHI-t, që janë kryesisht anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe anëtarë të Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave. Disa kohë më parë një prej ish-zyrtarëve të AKSHI-t Daniel Shima u zhduk për të paktën 10 orë dhe familja e tij bëri denoncim në polici për rrëmbim. Daniel Shima sapo kishte dhënë dëshminë në SPAK për tenderat korruptivë.
Hetimet kanë nisur pas denoncimit që bëri nga arratia Arben Ahmetaj dhe nga presioni i opozitës. PD ka denoncuar më herët një procedurë prokurimi të kryer nga AKSHI. Sipas PD, objekti i prokurimit ishte ‘Përmirësimi i Sistemit të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile’ me fond limit 3.8 milionë euro e cila u anulua me arsyetimin se nuk u paraqit asnjë ofertë e përshtatshme.
Sipas PD, në Tetor 2024 shpallet fituesi SOFT & Solution shpk në pronësi të Ermal Beqiraj me vlerë të ofertës 3.1 mil euro, ndërsa u skualifikuan dy kompani te tjera.
Në Qershor 2024, AKSHI shpalli procedurën e prokurimit me objekt: ‘Përmirësimi i Sistemit të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile’ me fond limit 3.8 mil euro e cila u anulua me arsyetimin se nuk u paraqit asnjë ofertë e përshtatshme.
E njëjta rishpallet në Shtator me objekt: ‘Përmirësimi i Sistemit të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile-për Ministrinë e Brendshme’ dhe fondi ndryshon nga 3.8 mil euro në 3.6 mil euro nga këto: 2.5 mil euro implementimi afati 12 muaj, 1.1 mil euro mirëmbajtja afati 24 muaj.
Morën pjesë 3 kompani me oferta:
XION IT SYSTEMS GMBH vlera 2.7 mil euro
SOFT Solution vlera 3.1 mil euro
ATOM vlera 3.4 mil euro
U skualifikuan dy, ndër to oferta më e ulët XION IT SYSTEMS GMBH, me arsyetimin se nuk ka paraqitur asnjë dokumentacion të vlefshëm të kërkuar në DT. Në Tetor 2024 shpallet fituesi SOFT & Solution shpk në pronësi të Ermal Beqiraj me vlerë të ofertës 3.1 mil euro.
1 muaj më pas AKSHI shpall një procedurë tjetër mirëmbajtjeje për Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile, konkretisht me objekt: ‘Mirëmbajtje e Sistemit të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile-për DPGJC’, fondi 1.9 mil euro dhe shpallet fitues ofertuesi i vetëm pjesëmarrës XION IT SYSTEMS GMBH me vlerë të ofertës 1.9 mil euro.Në regjistrin e parashikimeve për 2024 AKSHI ka cilësuar se fondi që do përdorej për regjistrin kombëtar të gjendjes civile do ishte 3.8 mil euro, ndërsa me dy procedurat e mësipërme për të cilat është njoftuar fituesi fondi tejkalon 5 mil euro.
Në procedurën e anuluar fondi ishte 3.8 milionë në procedurën e rishpallur 3.6 milionë. Pse ndryshoi fondi dhe cili ishte justifikimi ligjor?! Procedura e rishpallur në Shtator përmbante implementimin 12 muaj dhe mirëmbajtjen 24 muaj ndërkohë pas një muaji shpallet tender tjetër vetëm për mirëmbajtje me fond tjetër 1.9 mil euro duke mbivendosur jo vetëm afatin, por edhe fondet e buxhetit të shtetit.
Ermal Beqiri pronar i 6 bizneseve aktive, me kompaninë Soft & Solution ka marrë nga AKSHI mbi 30 milionë euro nga të cilat 22.7 milionë euro vetëm në 2024.
Referuar deklaratave të ish nr.2 të qeverisë Arben Ahmetajt, kompania Soft Solutions, në pronësi të Ermal Beqirit faturon rreth 80% të tenderave të AKSHI-t, e nëse investigohet rrjedha e parave tek tenderat e AKSHI-t do mbërrihet tek familja e kryeministrit.
Në këtë hetim të parë, krahas procedurave të tenderave që janë sekuestruar, prokurorët kanë analizuar dhe çdo transaksion të bërë nga Beqiri dhe kompanitë e tij.
Nga hetimet e SPAK, sipas burimeve, rezulton se Ermal Beqiri, një ish-punonjës i administratës shqiptare dhe më pas biznesmen me tendera shtetërore, ka blerë një jaht luksoz me vlerë 930 mijë euro në emër të një shtetaseje rumune 24-vjeçare. Ky transaksion me vlerë të lartë, bashkë dhe me shpenzime të tjera, janë duke u kaluar në filtrin e prokurorëve, ndërsa shtetasja nga Rumania ndërkohë po verifikohet./Boldnwes