TIRANË- Gjykata Kushtetuese ka mbyllur shqyrtimin e padisë së Partisë Demokratike për ministren e parë të Inteligjencës Artificiale, ‘Diella’. Sipas burimeve, trupa gjykuese e Kushtetueses është tërhequr për vendimin, që pritet të jepet në në një datë që do të caktohet në vijim.
Bëhet fjalë për padinë e Partisë Demokratike, e cila pretendon se ‘Diella’ nuk përmbush cilësitë e një ministri dhe dekretimi i saj nga Presidenti Bajram Begaj ka qenë në shkelje të ligjit.
PD i kërkon Gjykatës shfuqizimin, si antikushtetues, të dekretit të Presidentit për “ngritjen dhe funksionimin e Ministrit Virtual të Inteligjencës Artificiale Diella”.
“Ndaj deputetët demokratë kërkojnë shfuqizimin e nenit 2, të Dekretit ;Për emërimin e Kryeministrit’, nr. 331, datë 12.09.2025, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Shfuqizimin e nenit 1, pika 1, fjalia e dytë, të Dekretit ‘Për emërimin e Këshillit të Ministrave’, nr. 333, datë 15.09.2025, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”, thuhej mes të tjerash në ankimimin e PD-së.
Më 11 shtator "Diella" e dekretua nga Kreu i Shtetit, Bajram Begaj./ZËRI
