Aktualitet

Festohet sot Kurban Bajrami, mijëra besimtarë myslimanë falin namazin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”

Mesazhet kryesore të kësaj dite të shenjtë kanë qenë solidariteti, sakrifica, paqja dhe qëndrimi pranë familjes e njerëzve në nevojë.

F.I
Festohet sot Kurban Bajrami, mijëra besimtarë myslimanë falin
pamje nga falja

TIRANË-Mijëra besimtarë u mblodhën në orët e para të mëngjesit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë për faljen e namazit të Kurban Bajramit, por edhe në xhamitë e tjera të vendit.

Po ashtu, besimtarë në të gjitha qytetet e vendit janë mbledhur në sheshe dhe në xhami për të kryer një nga ritualet e kësaj dite të shënuar, faljen e namazit. Mesazhet kryesore të kësaj dite të shenjtë kanë qenë solidariteti, sakrifica, paqja dhe qëndrimi pranë familjes e njerëzve në nevojë.

Kreu i KMSH-së ka përcjellë edhe një mesazh urimi para besimtarëve, duke theksuar rëndësinë e solidaritetit, respektit dhe bashkëjetesës mes njerëzve. Në fjalën e tij, ai u shpreh se Kurban Bajrami është një festë që i fton besimtarët të largohen nga egoizmi, urrejtja, padrejtësia dhe indiferenca ndaj njëri-tjetrit.

“Kurban Bajrami është festa që na mëson të largohemi nga egoizmi, urrejtja, padrejtësia dhe indiferenca ndaj njëri-tjetrit. Në këtë ditë të shenjtë, Allahu na kujton në Kuranin Famëlartë: ‘O ju njerëz, ne ju krijuam prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni me njëri-tjetrin. Më i miri te Allahu është ai që është më i devotshëm’. Ky ajet është një mesazh i madh për të gjithë: të jetojmë me respekt dhe me dinjitet ndaj njëri-tjetrit”, tha kreu i KMSH-së, Bujar Spahiu.

Festa, sipas traditës islame, nderon gatishmërinë e Ibrahimit të flijoj djalin e tij si vepër e nënshtrimit ndaj urdhërit të Zotit, para se Zoti të ndërhyj, përmes engjëllit të tij Xhebrailit dhe të njoftoj Ibrahimin se flijimi i tij është pranuar tashmë. Mishi nga kafsha e flijuar ndahet në tre pjesë. Familja mban një pjese; pjesa tjetër jepet për të afërmit, shokët dhe fqinjët; ndërsa pjesa e mbetur i ndahet të varfërve dhe nevojtarëve.

Ndryshe është njohur edhe si Bajram i haxhive, sepse brenda ditëve të këtij bajrami kryhet edhe pelegrinazhi ritual në Mekë. Në kalendarin hixhri, Kurban Bajrami bie në ditën e 10-të të muajit Dhulhixhxhe dhe zgjat për katër ditë. Në kalendarin gregorian, data ndryshon nga viti në vit duke shkuar përafërsisht 11 ditë më herët çdo vit./ZËRI

Poll

MOS HUMB