TIRANË- Deputetja Marjana Koçeku, e larguar pak ditë më parë nga Partia Socialiste, duket se ka ndërmarrë një ndryshim të rëndësishëm qëndrimi përtej zhvillimeve politike në karrierën e saj.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, e njohur edhe si “neomalësorja”, ajo ka deklaruar një qëndrim të ri lidhur me aksionin e ndërhyrjeve dhe prishjeve në Theth gjatë verës së vitit 2025, për të cilin në atë kohë jo vetëm që nuk doli kundër, përkundrazi u rreshtua në mbështetje të tij.
Në reagimin e saj të fundit, Koçeku shpreh pendesë për mosreagimin e atëhershëm dhe kërkon faljen për qëndrim e mbajtur. Koçeku shton se sot ndjen keqardhje që nuk reagoi në kohë ndaj shqetësimeve të banorëve për prishjet në zonë, duke e cilësuar atë periudhë si një nga momentet më të vështira personale.
Deputetja, tashmë e pavarur, thekson se tani do të angazhohet për të përfaqësuar siç duhet qytetarët që e kanë votuar.
“I kërkoj falje prej zemre Thethit. Ajo ngjarje ka qenë ndër goditjet më të mëdha emocionale që kam përjetuar në jetën time. Unë nuk qaj, por ato ditë kam qarë më shumë se kur më ka vdekur babai. Betohem në 7 shenjtorët që besoj se tani e tutje do t’ju përfaqësoj si duhet. S’ka me i fye kush më ato male siç i kanë fyer”, shkruan ajo.
Çfarë ndodhi në Theth-aksioni i ndërhyrjeve të IKMT: Prishje, përlasje dhe incidente...
Aksioni i ndërmarrë nga IKMT në zonën e Thethit u shoqërua me shembjen e dhjetëra objekteve dhe ndërtimeve të konsideruara pa leje, në kuadër të ndërhyrjeve për lirimin e hapësirave publike dhe zbatimin e ligjit në territor. Ky aksion zgjati për disa ditë me radhë dhe u shtri në disa zona të fshatit turistik, duke përfshirë si banesa të banorëve vendas po ashtu edhe struktura akomoduese.
Gjatë zhvillimit të aksionit u raportuan përplasje dhe tensione mes forcave zbatuee dhe pronarëve të ndërtesave. Këta të fundit, disa banorë e të tjerë emigrantë të ardhur vetëm për shkak të aksionit, të cilët kundërshtonin prishjet, duke pretenduar se kishin investuar prej vitesh në ato struktura. Banorët, pronarë të objekteve u përgjigjën me rezistencë, ndërsa situata në disa momente u shoqërua me debate dhe ndërhyrje të forta në prani të autoriteteve.
Gjithashtu, aksionu u shoqërua edhe me diskutime publike, jo vetëm nga politika, kryesisht për mënyrën e ndërhyrjes dhe prishjes ndërtesave në atë zonë.
Por, cili ishte reagimi i Koçekut në atë kohë?
"Dje ne Theth u prek nji plage qe po thellohej dita dites e që lidhet me identitetin dhe estetiken tone kulturore e natyrore. Plaga e ndertimeve pa identitet, pa historik e pa miratim ligjor. Kryeministri @ediramaal dhe kryetari @becibenet kane ba nji nderhyrje te domosdoshme ne mbrojtje te fshatit Theth qe asht edhe kopertina e turizmit shqiptar. Duhet respektu nji standart i mirefillte estetik, urbanistik dhe ligjor ne zonat historike dhe turistike. Per hir te t’pareve tane te mos e vrasim identitetin! Natyra dhe historia s’falin.", shkruante deputetja Koçeku.
Më 14 qershor Koçeku njoftoi papritur largimin nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, duke deklaruar se do të jetë deputete e pavarur. Ajo arsyetoi se idealet dhe vlerat e saj, janë ato që i ka pasur para se të bashkohej me një parti politike dhe që i diktojnë edhe kufijtë, duke lënë të kuptohet një përplasje me liderin e PS, Edi Rama. Marjana Koçeku ishte një ndër emrat risi që PS solli në zgjedhjet parlamentare të 2025-ës. Ajo u zgjodh automatikisht deputete, pasi udhëhiqte listën e mbyllur të socialistëve në qarkun e Shkodrës. Pas largimit, ajo ka njoftuar mbështetjen për protestën e Flamingove, një lëvizje qytetare që kërkon largimin e klasës aktuale politike.
Por, ndryshimet për Koçekun nuk përfunduan me kaq. Pas largimit nga radhët e PS, ajo deklaroi përmes rrjeteve socialiste se ishte kërcënuar, siç ajo pretendon nga anëtarë të familjes Bajri. Megjithatë, avokati i këtyre të fundit, i deklaroi deklaratat e saj si të pavërteta dhe e ftoi deputetin të shfaqë prova nëse i disponon./ZËRI
