TIRANË-Prej rreth një muaji faqja zyrtare e ZËRI-t në platformën Tik-Tok është mbyllur. Problemet në postime dhe platformë deri në mbylljen e faqes erdhën pas ZËRI raportoi hap pas hapi protestën e njohur si 'Revolucioni Flamingo'. Por duket se nuk jemi të vetimt. Sot rreth 200 faqe në rrjetin Instagram janë mbyllur, mes tyre faqja e kreut të Partisë Mundësia Agron Shehaj.
Vetë Shehaj njoftoi se faqja e tij është bllokuar, pa një paralajmërim paraprak. Pas njoftimit të tij, edhe deputetja e pavarur pas largimit nga PS, Marjana Koçeku, ka denoncuar se numri i profileve të mbyllura në rrjete është 200. Profilet e mbyllura iu përkasin aktivistëve, të përfshirë në protestë apo atyre që publikojnë rreth saj, si profili i Gent Prognit, faqja 'antidroga', 'mashurkbazike' e të tjerë.






Reagimi i Marjana Koçekut: Nji valë sulmesh online ka nisë veçanërisht që ditën e djeshme kundër disa figurave opozitare me ndikim politik dhe publik. Mbi 200 faqe Instagrami me përmbajtje nga protestat janë mbyllë, përfshi këtu faqen zyrtare të deputetit Agron Shehaj, aktivistit Gent Progni dhe faqeve të njoftuna në Instagram që e kanë mbështetë vazhdimisht protestën.
Këto ditë në Forumin e Bled-it, siguria online dhe sulmet kibernetike ndaj lirisë së shprehjes ishin kryefjala e diskutimit të Komisionerëve Europianë. Qeveria jonë në Forume Ndërkombëtare e mbron këtë të drejtë me fanatizëm, por tenton me çdo kusht e çdo mjet ta shembë në shtëpinë e vet. Për këtë edhe kam raportu tashmë në institucionet e Bashkimit Europian.
Profilet raportohet se janë mbyllur pa një paralajmërim paraprak. ZËRI po ndjek të gjitha rrugët që lejon platforma Tik Tok për të rikthyer kanalin. Ndërkohë edhe Partia Mundësia po përgatit hapat ligjorë për rikthimin e faqes së tij në Instagram.