Aktualitet

Fëmijët e helmuar në kopësht! AKU: Deri tani nuk ka salmonelë në ushqim

Ndërkohë analizat për disa mostra të vezëve dhe kofshëve të pulës janë ende në proces.

F.I
Fëmijët e helmuar në kopësht! AKU: Deri tani nuk ka
foto ilustruese

TIRANË-Kanë dalë përgjigjet e analizave të disa prej produkteve ushqimore të konsumuara nga fëmijët e kopështit publik Nr. 1 në Gramsh, të cilët rezultojnë të jenë të infektuar me salmonelë. 

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit me një komunikim zyrtar lidhur me analizat e produkteve ushqimore të marra në kopshti informon se produktet qumësht, kofshë pule dhe vezë të kampionuara në Gramsh dhe Tiranë kanë rezultuar të pastra për treguesin 'Salmonella'. Ndërkohë analizat për disa mostra të vezëve dhe kofshëve të pulës janë ende në proces. Konkretisht për produktin vezë kampionuar nga DRAKU Elbasan dhe kofshë pule kampionuar nga DRAKU Tiranë, analizimi është ende në proces.

Komunikimi i AKU për publikun:

Në kuadër të transparencës, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vijon ndjekjen e procedurave ligjore dhe informimit të publikut, lidhur me kampionaturat e marra në produktet ushqimore lëndë e parë në kopshtin Nr .1 në qytetin e Gramshit dhe në subjektin furnizues në Tiranë, të cilat u dërguan për analizim për treguesin Salmonella spp pranë Laboratorit të Referencës në ISUV.
Informojmë se për mostrat e dërguara për analizim për produktet lëndë e parë qumësht dhe kofshë pule, të kampionuara nga DRAKU Elbasan, si dhe produktet qumësht, kofshë pule, vezë e kampionuar nga DRAKU Tiranë, kanë rezultuar të pastër për treguesin Salmonella spp.
Ndërsa për produktin vezë kampionuar nga DRAKU Elbasan dhe kofshë pule kampionuar nga DRAKU Tiranë, analizimi është ende në proces.
Sapo të kemi këtë informacion, AKU do të vijojë me informimin e mëtejshëm të publikut.

Instituti i Shëndetit Publik ka konfirmuar se nga analizat e kryera ndaj 79 fëmijëve, 17 prej tyre kanë rezultuar pozitivë me ‘Salmonella Enteritidis’. Për 6 fëmijë të tjerë pritet të dalin përgjigjet por edhe ata kanë rezultuar me rritje të ngarkesës bakteriale.

Helmimi masiv u raportua më 24 maj, por prindërit kanë rrëfyer se që ditën e martë të javës së kaluar, fëmijët kanë pasur simptoma si diarre, ethe, temperaturë e të vjella. Shkak dyshohet se është bërë ushqimi që fëmijët konsumonin në kopësht, i cili dërgohej nga kompania "Nelsa SHPK", një kompani që ka fituar tenderin për furnizimin me ushqim të kopshteve dhe çerdheve në Gramsh. Për rastin kanë nisur hetimet nga Prokuroria e rrethit të Elbasanit, por ende nuk ka detaje të tjera. Sot prindërit dolën në protestë dhe kërkuan që të zbardhet e vërteta dhe që fajtorët për këtë ngjarje të mbajnë përgjegjësi, ndërsa kryebashkiaku i Gramshit, Besion Ajazi në një përgjigje zyrtare për ZËRI, thotë se është ende herët për të dalë në përfundimin se helmimi ka ardhur si pasojë e ushqimit./ZËRI

Poll

MOS HUMB