DIVJAKË- Platforma të ndryshme online, konkretisht TXEX dhe XEUX, po zhvasin qytetarët shqiptarë duke u kthyer në skandalin e dytë ekonomik në vend. Një ndër qytet me numrin më të lartë të përdoruesve raportohet të jetë Divjaka, ku ZËRI e ka ndjekur skemën nga afër, ku banorët kanë rrëfyer eksperiencën e tyre me detaje, nga mënyra se si regjistrohesh, mosha e lejuar, dhe mënyra e fitimit e deri te tërheqja e parave.
Ndërkohë, një banor i qytetit të Divjakës ka treguar detaje sesi qindra bashkëqytetarë të tij ranë pre e skemës piramidale online. Josif Kurti ka treguar për A2 CNN, se banorët e Divjakës josheshin nga të ashtuquajtur agjentë për të investuar në platformën TXEX, me premtimin se fitimet do të dyfishoheshin. Ai thotë se për këto skema ka dëgjuar para një vit, ndërsa vetë ai dhe bashëkshortja e tij nuk kishin guxuar kurrë të regjstroheshin. Banori tregon se ishte habitur nga e gjithë skema online, teksa shton se ka pasur përvojën e hidhur gjatë viteve 96’ – 97’.
“Unë për këto skema kam dëgjuar para një viti. Nisi të përflitej në Divjakë dhe diskutonin midis tyre njerëz, dhe persona që na njihnin sepse kemi qenë me bashkëshorten mësues prej 30 vitesh. Na u duk pak si habi e çudi fillimisht kjo nismë online. Unë dhe bashkëshortja kemi pasur përvojë të hidhur gjatë viteve 96’ – 97’ dhe për këtë arsye as nuk guxonim. Edhe kur na thoshin që është shumë e lehtë, me një kartë identiteti regjistrohesh. Nuk guxuam asnjëherë megjithëse kishim edhe presion nga djali, në kuptimin e mirë, pasi ne nuk dimë të fitojmë lekë pa punë, pa djersë. Edhe shoqet apo shokët e djalit bashkëbisedonin të investonin lekë në këto piramidat online. Jo i njihja si ish-nxënës, djem të rinj që kanë mbaruar dhe janë shkolluar goxha, dhe kur diskutonim në muhabete kafeje i thosha: “Ore djem si po guxoni, si po veproni” – dhe ata më thoshin në formë shakaje: “Hë mo presor, se një milionë nuk u bë qameti, se diku po fitohet”. Për emrin tim u lutën mbi dy-tre miq e mekesha, që të regjistrojmë ne, çfarë ke është e sigurt por nuk pranuam asnjëherë”, rrëfeu Kruti.
Më tej, banori ka treguar me detaje se ishin të paktën 4 agjentë që operonin, të cilët ftonin njerëzit e tyre duke i bindur për fitime të mëdha dhe të shpejta. Ai shtoi se gjatë kësaj periudhe kishte dëgjuar raste, episode, nga njerëz që tregonin humbje milionash, e nga ana tjetër, të tjerë që kishin fituar shuma të majme.
“Ishin tre katër si agjentë kryesor që operonin. Ose ftonin njerëzit e tyre duke i bindur se unë po fitoj, jam unë i sigurt, fitimi shtohet shpejt. Edhe mua nga muaji mars po diskutohej fort në një tavolinë, dikush tha po vjen 4 milionë lekë të vjetra, nuk do bëhet qameti. Dikush tjetër nuk guxonte, disa të tjerë hodhën masivisht. Nga ana tjetër mësoj se javën e fundit kur do mbyllej, 2-3 miqtë e mi thoshin hodhëm dy milionë u dogjëm. Dikush tjetër obobo vura 4 milionë, hodha gjithë kursimet. Ka marrë një lloj rënie dhe prekje. Thoshin që fitohet shpejt, për një muaj dy muaj, mjafton të ndjekësh një orar të caktuar, të aplikosh, të jesh atje, të hapet vetë programi. E di që ishin bërë si të dehur pas kësaj në një orar të caktuar. Edhe rrinin, linin çdo punë, dhe rrinin tek ai orari ku shihnin si po kalonin lekët”, zbuloi Kruti për A2cn.
Sipas Krutit hyrja fillestare në skemë bëhej me shuma që varionin nga 1 milionë deri në 4 milionë lekë të vjetra, dhe investimi kryhej përmes filialeve të bankave. Ndërsa zbulon se ata që promovonin ishin me profesione të ndryshëm, si fermerë, ekonomiste dhe nga fusha e arsimit. Këta të fundit madje, e kishin 'ftuar' Kurtin që të bëhej pjesë e skemës.
“Ata që promovonin ishin me profesione nga më të ndryshmet. Punonjës në Divjakë, fermerë, ekonomistë, edhe me arsim të lartë edhe nga fusha e arsimit, mësuesisë. Edhe më luteshin hajde provoje me një milion me të miat dhe nuk pranova. Ka mundësi nëpër filiale bankash dhe banka më pas i kalonte në adresën e skemës TXEX, me aq sa kam dijeni. Lekët më duket në bankë. Nuk e di këtu apo në Kosovë. E di që thoshin kalohen lekë. Vinte shuma online e tregohej shpesh dhe pastaj lekët kalonin”, tha Kruti.
Disa javë më parë, një denoncim i mbërritur në redaksi na vuri nën alert për një skemë e cila sipas denoncuesit anonim ishte duke zhvatur qytetarët shqiptarë. Bëhet fjalë për dy platformat TXEX dhe XEUX. Këto dy platforma paraqiten si aplikacione investimi në kriptovaluta dhe shpërndahen në disa rrjete sociale, ku më kryesori është në Telegram. Burime për ZËRI bëjnë me dije se numri i qytetarëve që kanë shkarkuar këtë platformë dhe kanë investuar para është gati 6 mijë. Një ndër qytetet me numrin më të lartë të përdoruesve raportohet të jetë Divjaka, ku ZËRI u intersua nga afër për mënyrën se si funksionon skema në këtë qytet. Banorët kanë treguar me detaje se si investojnë lekët dhe rrugën që ndjekin nga regjistrimi në platformë deri tek mënyra si i tërheqin lekët. Ajo që vihet re siç është mosha e përdoruesëve ga fëmijët deri tek pensionistët./ZËRI
