
TTRANË- Është ekstraduar nga Santo Domingo në Shqipëri, Soni Pepa. 40-vjeçari ishte i shpallur në kërkim nga SPAK për trafik droge, ndërsa më 3 shtator u ndalua në Punta Cana. Siç bëhet me dije nga policia, ekstradimi i tij u bë i mundur në orët e para të mëngjesit të sotëm, falë bashkëpunimit të ngushtë mes Interpol Tirana dhe Santo Domingo. Gjykata e Posaçme kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë "arrest me burg" për trafikim të narkotikëve, pjesë e grupit të strukturuar kriminal dhe pastrim i produkteve të veprës penale.
Njoftimi:
Policia e Shtetit/ Finalizohet ekstradimi i shtetasit shqiptar S. P., alias V. P., nga Punta Cana/Republika Domenikane, në Shqipëri.
Në vijim të bashkëpunimit intensiv të Interpol Tiranës me Interpol Santo Domingo, Republika Domenikane, në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, në orët e para të mëngjesit të sotëm, u finalizuan procedurat për ekstradimin nga Punta Cana/Republika Domenikane drejt vendit tonë, të shtetasit shqiptar S. P., alias V. P., 41 vjeç, lindur në Lushnjë.
Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest me burg” për veprat penale “Trafikim i narkotikëve”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Si rezultat i informacionit të siguruar nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe i shkëmbimit të tij nëpërmjet Interpol Tiranës me Interpol Santo Domingo, u bë i mundur arrestimi në Punta Cana/Republika Domenikane, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë të këtij shtetasi. Shtetasi S. P., në përfundim të procedurave, iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Policia e Shtetit falënderon autoritetet e Republikës Domenikane dhe autoritetet gjermane për bashkëpunimin për finalizimin e procedurave të ekstradimit të 41-vjeçarit në Shqipëri.
Më herët u zbuluan detaje nga arrestimi i tij. Vilson (Soni) Pepa kishte më shumë se një muaj që qëndronte në republikën Domenikane së bashku me familjen e tij. Ai kishte tentuar të largohej nga territori i Republikës Domenikane, por autoritetet verifikuan se ai ishte i kërkuar nga drejtësia e vendit të tij dhe menjëherë u aktivizua një operacion për lokalizimin e tij.
Gjatë momentit të ndalimit, autoritetet i kanë gjetur një pasaportë shqiptare, dokumente italiane, pesë telefona celularë të koduar dhe shuma të konsiderueshme parash në dorë. I njohur si 'Zhuu', 40-vjeçari akuzohet për një sasi prej 11 tonësh kokainë, nga të cilat 600 kilogramë u sekuestruan në Roterdam, Holandë, mes datave 7 dhe 8 nëntor 2020. Gjithashtu, ai dyshohet se ka financuar blerjen e 10 kilogramëve të tjerë në të njëjtin qytet.
40-vjeçari ishte pjesë e grupit të strukturuar kriminal ndërkombëtar Çopja, i cili operonte në disa shtete të Europës dhe Amerikës së Jugut, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike. Ngarkesa e drogës dyshohet se është nisur nga porti i Villetas në Paraguai, me destinacion përfundimtar portin e Antverpit në Belgjikë. Emri i tij është pjesë e dosjes voluminoze dhe qindra mijëra sms të zbërthyera nga aplikacioni SKY ECC./ZËRI

