TIRANË– I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, është shoqëruar me urgjencë në spital pasi raportohet se ndodhet në gjendje jo të mirë shëndetësore. Transporti është bërë nën masa të rrepta sigurie.
Ende nuk ka një njoftim zyrtar nga Drejtoria e Burgjeve mbi shkaqet që kanë çuar në përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të Dumanit.
Dërgimi i Dumanit në spital vjen fill pas dëshmisë së vëllait tjetër të tij, Fitimit, i cili ka rrëfyer për disa ngjarje kriminale dy ditë më parë.
Dumani është një nga dëshmitarët kyç të drejtësisë shqiptare, pasi dëshmia e tij në kuadër të dosjes së njohur si “Plumbi i Artë” ka çuar në hapjen e një sërë çështjesh penale dhe hetimesh ndaj grupeve të fuqishme kriminale në vend.
Roli i tij si i penduar e ka bërë një nga figurat më të mbrojtura dhe njëkohësisht më të ekspozuara në opinionin publik. Çdo zhvillim që lidhet me shëndetin apo sigurinë e tij pritet me interes të madh, si për shkak të ndikimit në proceset gjyqësore ashtu edhe për pasojat që mund të ketë në ecurinë e hetimeve./ZËRI