Aktualitet

Foshnja 2-muajshe ndërroi jetë nga kequshqyerja? Prindërit mes lotësh: I dhashë të pinte...fajin e kanë spitalet, asnjë se mbajti

Edhe bashkëshorti i saj Arben Vesholliu, thotë se fëmija merrte kujdes të veçantë nga prindërit por kjo nuk mjaftonte për shkak të lindjes së parakohshme dhe kujdesit të munguar mjekësor. 

F.I

Foshnja 2-muajshe ndërroi jetë nga kequshqyerja? Prindërit mes

KORÇË-Një ngjarje tronditëse u raportua më 13 mars, ku një foshnje 2 muajshe, në gjendje kritike për jetën u nis me urgjencë drejt Tiranës. Por fatkeqësisht disa orë pas mbërritjes në kryeqytet, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta mbajtur në jetë, foshnja nuk mbijetoi. 

Paraprakisht u raportua se shkak i vdekjes ka qenë kequshqyerja. Foshnja kishte lindur dy muaj më parë prematurë (7 muajsh), në muajin e shtatë të shtatzënisë. Fillimisht ai është trajtuar në spitalin e Korçës dhe më pas në Tiranë, nga ku kishte dalë në gjendje të mirë shëndetësore. Megjithatë, pas kthimit në banesë, gjendja e tij dyshohet se është përkeqësuar ndjeshëm. Foshnja peshonte vetëm 1 kilogram, njësoj si në momentin kur ka lindur dy muaj më parë. 

Nga ana tjetër prindërit e foshnjës së ndjerë akuzojnë spitalin e Tiranës. Vjollca Shkëmbi, nëna e të voglit rrëfen se fëmijën e ka sjellë në jetë para kohe dhe ndaj mjekët e Tiranës duhet ta mbanin nën kujdesin e tyre për një kohë më të gjatë, gjë të cilën sipas nënës nuk e kanë bërë. Ajo ka kërkuar që Policia të marrë masa dhe thekson se e ka ushqyer por nuk pinte qumësht.

“Nuk ma bën zemra ta fut në dhé…Fajet i kishte shteti, spitali i Tiranës që e nxorri para kohe. Ky ka qenë shkaku që vdiq fëmija im para kohe. Se fëmija as nuk hante e as nuk pinte. Unë kërkoj nga shteti të marrë masa, nga policia të marrin masa ndaj doktorëve të Tiranës që ma vdiqën fëmijët dhe doktorët e Korçës që thanë duhet të mbajnë 10 ditë dhe ditën e dytë na e dhanë fëmijën para kohe. Unë dua të marrë masa shtetit për këtë punë”, u shpreh nëna e fëmijës në një intervistë për Euronews Albania.

Në të njëjtën linjë është edhe bashkëshorti i saj Arben Vesholliu, thotë se fëmija merrte kujdes të veçantë nga prindërit por kjo nuk mjaftonte për shkak të lindjes së parakohshme dhe kujdesit të munguar mjekësor. 

“Na i dhanë në Tiranë, thanë duhet të rrijë 10 ditë në Korçë. Korçë nuk e mbajtën, unë i dhashë të pinte, ai nuk pinte. E çova në Bilisht, nuk ma mbajtën. E çova në Tiranë. Kur u ktheva në Pogradec më thanë “djali mbaroi”. Lindi me probleme”, tregon babai.

Sipas grupit hetimor, materialet për këtë rast janë dërguar në Prokuroria e Korçës. Hetimet pritet të përcaktojnë nëse shkak i vdekjes ka qenë kequshqyerja apo ndonjë problem tjetër shëndetësor që foshnja mund ta ketë pasur që në lindje./ZËRI

Poll

MOS HUMB