
ELBASAN- Xhovana Nikolli ka reaguar për vdekjen e Enea Themollarit që humbi jetën pasi mbeti i plagosur rëndë, nga tritoli që shpërtheu në derën e banesës së tij, i cili u vendos për motrat Nikolli.
Ajo iu ka shprehur ngushëllime familjes Themollari, të cilët sot përcjellin në banesën e fundit, djalin e tyre që ndërroi jetë në moshën 26-vjeçare. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo shkruan: “Ngushëllime familjes së Eneas,, Zoti ju dhënë forcë të përballoni këtë dhimbje. Ju prehtë shpirti në paqe!
26-vjeçari mbeti viktimë si pasojë e një sasie tritoli që u vendos në korridorin e katit të 4-t të pallatit në derën e hyrjes në pronësi të një 59-vjeçari, ku jetonin me qira motrat Nikolli, të cilat akuzuan Nuredin Dumanin si porositës të vendosjes së tritolit. Por fatkeqësisht dëmtimet më të mëdha u shkaktuan në banesën e familjes Themollari, duke e lënë të riun të plagosur rëndë.
Enea Themollari, 26 vjeç, që prej datës 14 korrik ndodhej në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës në Tiranë, ku mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë. Giovanna dhe motra e saj, Alda jetonin së bashku në banesën në Elbasan ku ndodhi shpërthimi mëngjesin e 14 korrikut. Pas ngjarjes ato hodhën akuza në drejtim të Nuredin Dumanit, por edhe Prokurorisë së Posaçme, pasi sipas tyre i penduari i drejtësisë ka trajtim preferencial në ambientet e burgut, dhe merr vendime dhe për të dënuarit e tjerë.
Nikolli akuzoi Dumanin se kishte dhunuar në 3 raste të dashurin e saj në qeli, Amarildo Xhanej, ndërsa u shfaqën dhe pamjet, ku vrasësi me pagesë, tashmë i penduar, komunikonte lirisht nga ambientet e burgut. Pas denoncimit të Nikollit, 2 punonjës të policisë së burgjeve u pezulluan nga detyra. Hetimet për shpërthimin me tritol, janë marrë përsipër nga Prokuroria e Posaçme, por deri tani nuk ka asnjë person të arrestuar për ngjarjen, edhe pse fillimisht u pretendua se policia kishte identifikuar autorin e ngjarjes. /ZËRI