
TIRANË- Është zhvilluar sot në Gjykatën e Apelit të Posaçëm seanca për Laert Haxhiun, i dënuar me burgim të përjetshëm për “Masakrën e Lushnjes”.
Haxhiu ka apeluar vendimin e shkallës së parë që vendosi burg përjetë në mungesë për 32 vjeçarin, i akuzuar për vrasjen e Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës si dhe për plagosjen e Marjus Xhepexhiu dhe të Bujar Turkut.
E pranishme në sallë ishte prokurorja Doloreza Musabelli, ndërsa për herë të parë në seancë ka marrë pjesë dhe vetë kreu i SPAK, Altin Dumani.
Po ashtu në sallë ka qenë dhe babai i Lart Haxhiut, i cili dhe më herët ka ndjekur procesin, në mungesë të të birit, i cili ndodhej në pritje të ekstradimit nga Greqia.
Pjesë e trupës gjykuese janë për dosjen e Laert Haxhiut janë Florjan Kalaja, Saida Dollani dhe Ingert Pëllumbi. Seanca u shty pasi mungonte Pëllumbi për shkak të lejes vjetore. Në këto kushte, seanca gjyqsore u shty për javën e ardhshme, në datë 9 tetor ora 12:00.
Laert Haxhiu përmes avokatit të tij Detar Hysi, ka kërkuar heqjen dorë të prokurores Doloreza Musabelliu, për shkak se ka konflikt interesi. Kjo për shkak se bashkëpunëtori i drejtësisë, Artan Tafani ka deklaruar se do të vrasë prokuroren e çështjen. Për këtë arsye Komisioni i Posaçëm, i ka shtuar sigurinë.
Laert Haxhiu u arrestua në Greqi në maj të vitit 2023, 6 vjet pas masakrës me dy të vrarë në Lushnjë. Në shënjestër ishte Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares, por të vdekur mbetën Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi. Laert Haxhiu akuzohet nga autoritetet shqiptare për 16 vepra të ndryshme penale, që përfshijnë vrasje, atentate, plagosje, grabitje e shumë të tjera, të kryera në formën e grupit kriminal.
Lidhur me akuzat e ngritura ndaj tij, në prill, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e dënoi me burg përjetë./ZËRI