Aktualitet

Fundoset Marina e Durrësit? IKMT pranon skandalin: Pallatet janë 'zhytur', njëri 28 cm dhe tjetri 18 cm

Në deklaratën zyrtare bëhet me dije se të dy pallatet në fazën ndërtimore kanë pësuar ulje, konkretisht objekti i parë 9-katësht është fundosur 28 cm, ndërsa objekti tjetër 11-katësh, 18 cm.

F.I
Fundoset Marina e Durrësit? IKMT pranon skandalin: Pallatet janë
pamje nga ndërtimi

DURRËS-Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka dalë me një deklaratë zyrtare lidhur me ndërtimet e projektit ‘Durrës Marina’, pas raportimeve se dy pallatet e para të ndërtuara në kompleks kanë pësuar ulje të konsiderueshme në tokë.

Sipas njoftimit zyrtar, kontrollet janë kryer për dy objektet e ndërtuara në zonat e menaxhimit A02 dhe A04 të projektit “Durrës Marina”, të cilat ndodhen në fazën e sistemimeve të jashtme. Rezultatet e inspektimit kanë pohuar se objektet e para kanë pësuar zhytje. Në deklaratën zyrtare bëhet me dije se të dy pallatet në fazën ndërtimore kanë pësuar ulje, konkretisht objekti i parë 9-katësht është fundosur 28 cm, ndërsa objekti tjetër 11-katësh, 18 cm.

IKMT i është drejtuar zyrtarisht kompanisë zbatuese të projektit, duke kërkuar marrjen e menjëhershme të masave për realizimin e projekt-përforcimeve të nevojshme teknike, të cilat garantojnë qëndrueshmërinë e pallateve.

DEKLARATË:

Në përgjigje të raportimeve të publikuara javët e fundit në media mbi problematika që lidhen me qëndrueshmërinë dhe sigurinë e dy prej objekteve të projektit zhvillimor “Durrës Marina”, Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit (IKMT) sqaron sa vijon:

Në zbatim të përcaktimeve ligjore dhe detyrave funksionale, me urdhër të Kryeinspektorit të IKMT-së, u ngrit një grup i posaçëm inspektimi për verifikimin e situatës në terren. Grupi i kontrollit përbëhej nga inspektorë të IKMT-së, përfaqësues të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit (AZHT), inspektorë të IMT-së së Bashkisë Durrës, si dhe përfaqësues të Institutit të Ndërtimit (specialist të fushës).

Verifikimi u krye në lidhje me zbatimin e lejes së ndërtimit nr. 2349/12 prot., datë 10.09.2023, miratuar me Vendimin nr. 34, datë 01.08.2023, të KKT-së, për objektet: “Godinë banimi dhe shërbimi me 1, 6, 7, 8 dhe 10 kate mbi tokë, 1 kat pjesërisht parkim nëntokë dhe 1 kat parkim nëntokë” dhe “Godinë banimi dhe shërbimi me 1, 6, 7 dhe 8 kate mbi tokë, 1 kat pjesërisht parkim nëntokë dhe 1 kat parkim nëntokë”, në zonat e menaxhimit A02 dhe A04, aktualisht në fazën ndërtimore të sistemimeve të jashtme.

Në përfundim të inspektimit, raporti topografik i Institutit të Ndërtimit konfirmon se:
Objekti 02, me fazë ndërtimore 1, 6, 7 dhe 8 kate mbi tokë dhe 1 kat nëntokë, ka pësuar ulje prej 28 cm;
Objekti 04, me fazë ndërtimore 1, 6, 7, 8 dhe 10 kate mbi tokë dhe 1 kat nëntokë, ka pësuar ulje prej 18 cm.

Nisur nga këto konstatime, IKMT i është drejtuar zyrtarisht kompanisë zbatuese të projektit, duke kërkuar marrjen e menjëhershme të masave për realizimin e projekt-përforcimeve të nevojshme teknike, të cilat garantojnë qëndrueshmërinë e strukturave. Ky projekt përforcimesh, përpara zbatimit, duhet të marrë miratimin nga autoritetet ligjore përgjegjëse për garantimin e respektimit të kushteve teknike të planifikimit dhe zbatimit të punimeve të ndërtimit.

Duke falënderuar median për bashkëpunimin dhe kontributin e saj, IKMT garanton se në kordinim me institucionet e tjera shtetërore sipas fushës së përgjegjësisë, mbetet maksimalisht e angazhuar dhe do të mbikëqyrë në vijimësi zbatimin e përcaktimeve ligjore në kantieret e ndërtimit.

Rasti u bë publik nga emisioni Piranjat në një episod të datës 24 prill, ku sipas dëshmisë së nënkontraktorit, problematika kisht nisur që në fazat e para të ndërtimit, pasi nuk janë vendosur pilotat e thella të domosdoshme për një terren ranor dhe të paqëndrueshëm pranë detit. Në pallatet në ndërtim janë konstatuar edhe dëmtime të tjera serioze, përfshirë çarje të strukturës dhe thyerje të elementëve të vendosur si dyer dhe dritare.

Shitja e apartamenteve në zonën ku do të zhvillohet projekti strategjik u njoftua që në fund të vitit 2022. Durrës Marina Sha. u krijua nё Tirane si njё shoqёri aksionare mё datё 30 Janar 2023. Aktiviteti i saj është zhvillimi i pasurive të paluajtshme, për përdorime të ndryshme, në përputhje me Master Planin e kompanisë Durrës Marina, si dhe operimin dhe menaxhimin e aktiviteteve të ndryshme të biznesit në përputhje me Planin e Biznesit të projektit Durres Yachts & Marina. 

Projekti po zhvillohet nga Eagle Hills në partneritet me kompaninë publike shqiptare Albanian Seaports Development Company. I gjithë projekti pritet të gjenerojë në 35 vjet rreth 3.2 miliardë euro të ardhura. Nga shuma totale e të ardhurave, 2.26 miliardë euro, ose 70% e totalit të të ardhurave do të gjenerohet nga shitja e apartamenteve.

Poll

MOS HUMB