Aktualitet

'Gjobë’ 10 mijë euro lokalit me "muzikë live", SPAK merr të pandehur ish-shefin e Antidrogës në Durrës

Preçi u arrestua në flagrancë duke marrë një shumë prej 10 mijë eurosh, nga pronari i një lokali me muzik live pranë Urës së Dajlanit.

F.I
'Gjobë’ 10 mijë euro lokalit me "muzikë
Gazmir Preçi

TIRANË-SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dorëzuar në Gjykatën e Posaçme kërkesën për dërgimin në gjyq të Gazmir Preçit, ish-shefit të Sektorit të Narkotikëve në policinë e Durrësit. Preçi akuzohet për korrupsion pasiv, pasi dyshohet se ka marrë 10,000 euro ryshfet nga shtetasi B.T. Ish-shefi i Antidrogës i kishte kërkuar shumën e majme me kërcënimin se në të kundërt do i bllokonte biznesin. Pronari i lokalit i gjendur nën kushtet e presionit, ka bërë kallëzim në AMP, ku më pas janë kryer dhe hetime, që çuan në arrestimin e shefit të Antidrogës.

Njoftimi i SPAK: 

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pas përfundimit të hetimeve paraprake për procedimin penal nr.170 të vitit 2024, ka paraqitur më 03.02.2025 në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për dërgimin në gjyq në ngarkim të të pandehurit:

Gazmir Preçi, punonjës i policisë së shtetit, ish shef i Sektorit të Narkotikëve në DVP Durrës, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259, paragrafi 2, i Kodit Penal. 

Në përfundimin e hetimeve ka rezultuar se i pandehuri Gazmir Preçi i ka kërkuar dhe marrë një shumë monetare në vlerën 10,000 (dhjete mijë) euro shtetasit B.T, në këmbim të mosushtrimit të kontrolleve në lokalin e poseduar prej tij, ku ushtrohej aktiviteti “muzikë live” dhe ishin punësuar shtetas shqiptarë e të huaj. Hetimet e këtij procedimi u kryen në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore.

Preçi u arrestua në flagrancë më 15 gusht 2024, duke marrë një shumë prej 10 mijë eurosh, nga pronari i një lokali me muzik live pranë Urës së Dajlanit. Shkëmbimi i parave u bë në një lokal në zonën e Kinostudios në Tiranë, nën mbikqyrjen e AMP-së dhe autorizmit të dhënë nga Prokuroria e Posaçme. Në dëshminë e tij, dhënë para Gjykatës, Preçi ka kërkuar lirinë me pretendimin se është babai i 3 fëmijëve të mitur. Po ashtu ai ka deklaruar se nuk ka pasur dijeni për shumën e parave që pronari i lokalit kishte në zarf./ZËRI

Poll

MOS HUMB