Aktualitet

“Gjoka” kursen kripën! Kalimi në Rrugën e Arbrit kthehet në ‘makth’, disa makina dalin nga rruga dhe përfundojnë në kanal

Drejtuesit e mjeteve, që janë bllokuar në Rrugën e Arbrit, shprehen se kompania përgjegjëse nuk ka marrë asnjë masë për hedhjen e kripës dhe skorjeve, ndërsa reshjet e borës vijojnë që prej orëve të para të mëngjesit

E.K
“Gjoka” kursen kripën! Kalimi në Rrugën e Arbrit
rruga e arbrit

DIBËR- Reshjet e shiut, dhe borës, që kanë rënë në të gjithë vendin kanë shkaktuar problematika me qarkullimin dhe në Rrugën e Arbrit. Që prej orës 07:30, si pasojë e reshjeve të dendura të borës në zonën e Tunelit të Murrizit, disa automjete kanë dalë nga rruga dhe kanë përfunduar në kanal.

Raportohet gjithashtu për përplasje mes mjeteve, të shkaktuara nga rrëshqitja në bore, ndërkohë që “Gjoka Konstruksion” nuk ka marrë masa për pastrimin e rrugës.

Situata ka qenë problematike si në krahun e Tiranës, ashtu edhe në krahun e Klosit, ku rruga ka qenë e bllokuar për më shumë se një orë. Vështirësi në qarkullim janë konstatuar edhe në segmentin nga Ura e Vashës deri në Peshkopi, si dhe në Tunelit të Qafë-Buallit, ku shumë automjete kanë mbetur të bllokuara nga bora.

Policia Rrugore ndodhet në terren dhe po punon për shmangien e aksidenteve, ndërsa situata vijon të përkeqësohet për shkak të reshjeve të vazhdueshme të borës dhe ngricave, që e bëjnë lëvizjen gjithnjë e më të vështirë në Rrugën e Arbrit.

Autoritetet kërkojnë nga firma mirëmbajtëse të ndërhyjë urgjentisht me hedhjen e kripës dhe skorieve për të garantuar qarkullimin e mjeteve. Ndërkohë, Policia u bën apel drejtuesve të automjeteve të përdorin goma dimërore dhe zinxhirë, si dhe të tregojnë kujdes maksimal gjatë lëvizjes./ZËRI 

Poll

MOS HUMB