TIRANË- Gjykata e Tiranës ka caktuar datën 21 shkurt, ora 10:30 për seancën e shqyrtimit të padisë për zgjidhje martese të ish-presidentit, Ilir Meta nga deputetja Monika Kryemadhi. Padia për divorc është depozituar nga Meta në gjykatë në qershor 2024.
“Nisur nga interesimi i medias, që ditën e djeshme, ju bëj me dije se nga verifikimi në sistemin e menaxhimit të çështjeve të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, lidhur me çështjen me paditës I.M dhe të paditur M.K. Me objekt “zgjidhje martese” është caktuar seanca gjyqësore 21.02.2025, ora 10:30.”, thuhet në njoftim.
Meta dhe Kryemadhi janë martuar në tetor të 1998 dhe nga martesa kanë tre fëmijë, Bora, Besar dhe Era Metaj. Ishte vetë, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili njoftoi divorcin në një intervistë televizive. Ai theksoi se për planin e tij kishte dijeni vetëm i biri dhe e motra, asnjë familjar tjetër. Në kërkesën për divorc që konfirmon fundin e një martesë 26-vjeçare, Meta deklaroi se politika është ajo që e ndau me Monika Kryemadhin. Ai tha se marrëdhënia e tyre u kris pas vendimit të Kryemadhit për të djegur mandatet e marra në zgjedhjet e 2017, ndërkohë që iu kërkoi falje fëmijëve për shqetësimin që iu ka krijuar.
“Vitet e fundit kam konstatuar fillimisht mosdakordësi dhe kontradikta që kanë ardhur duke u shtuar fillimisht për shkak të qëndrimeve dhe pikëpamjeve të ndryshme në lidhje me zhvillimet në aspektin politik, përfaqësues dhe vendimmarrës, por që me kalimin e kohës ato u bënë prezente edhe në raportin tonë bashkëshortor, deri sa kohët e fundit këto mospërputhje qëndrimesh e mendimesh edhe ndaj njeri-tjetrit kanë sjellë si pasojë grindje të herëpashershme, duke tronditur thellë marrëdhënien tonë bashkëshortore,” thuhet në padi.
Sipas ligjit, seanca e parë është ajo e pajtimit, ku palëve u jepet edhe njëherë mundësia për t’u ribashkuar. Nëse pajtimi nuk arrihet, gjykata vijon më shqyrtimin e kërkesës për divorc dhe firmosjen e tij./ZËRI

