TIRANË- Kleviol Ahmeti, reperi dhe personazhi i njohur në TikTok me emrin “Cllevio”, është paraqitur në Gjykatën e Posaçme për të dëshmuar në procesin ndaj ish-kreut të bandës së Lushnjës, Laert Haxhiu.
Konkretisht, Cllevio paraqitet në cilësin e dëshmitarit në lidhje me një episod të tensionuar mes tij dhe reperit tjetër, Rigels Rajku, i njohur si Noizy.
Cllevio është paraqitur edhe më parë si dëshmitar në lidhje me vendosjen e tritolit në dyqanin e reperit Noizy në Durrës. Në seancën e 3 qershorit, ishte Noizy ai i cili dëshmoi në gjyq dhe hodhi akuza të reja ndaj Kleviol Ahmetit.
Lidhur me këtë ngjarje ka hedhur dritë i penduari i drejtësisë Artan Tafani, ish-pjesë e bandës së Laert Haxhiut.
Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur në qershor të vitit 2022, ku biznesit të reperit iu vendos lëndë plasëse. Nga hetimet rezultoi se tritoli ishte vendosur me urdhër të Laert Haxhiut, pas sherrit që Noizy kishte pasur me Kleviol Ahmetin.
"Në datë 08.06.2022, në dyqanin e shtetasit Bashkim Rajku, në qytetin e Durrësit, me autorë të dyshuar: - Laert Haxhiu, 31 vjeç, lindur në Lushnjë; - Artan (Marjus) Tafani, 39 vjeç, lindur në Lushnjë; - Lulzim Spahija (Arapi), 28 vjeç, lindur në Lushnjë; - Erisiano Abedini, 32 vjeç, banues në Tepelenë.", njoftonte policisë asokohe pas ngjarjes. /ZËRI
