TIRANË-Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë ka nisur hetim disiplinor ndaj Irena Gjokës, gjyqtare pranë Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO). Sipas njoftimit zyrtar, ILD thotë se ka shqyrtuar ankesën e regjistruar dhe ka arritur në konkluzionin se ekzistojnë dyshime të arsyeshme se gjyqtarja mund të ketë kryer veprime për shkelje disiplinore.
Vendimi vjen pasi Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk e pranoi nisjen e verifikimit për gjyqtaren e GJKKO Irena Gjoka, nëse është apo jo në kushtet e mos ushtrimit të detyrës për shkak të dyshimeve se nuk ka deklaruar një dënim në Greqi. Vendimin ILD e ka bazuar me iniciativë për shkak të informacioneve të dala publikisht si dhe në dy ankime të mbërritura në adresë të tij nga eksponentë të Partisë Demokratike, Gazment Bardhit dhe Adriana Kalaja.

Por çfarë ka ndodhur me çështjen e Irena Gjokës?
PD ka kallëzuar Irena Gjokën në Prokurorinë e Përgjithshme për falsifikim të formularit të dekriminalizimit, ku sipas PD, Gjoka ka fshehur një dënim për falsifikim vize në Greqi. Prokuroria e hetoi për 2 vite këtë çështje dhe deklarimet e Gjokës dhe doli në përfundimin se ajo ishte dënuar në Greqi, por vendimi nuk është ekzekutuar asnjëherë dhe dënimi është shuar. Por megjithëkëtë, Prokuroria i kërkoi KLGj që të vlerësonte nëse Gjoka ishte ose jo në kushtet e ndalimit për të marrë postin e gjyqtares sipas parashikimeve të ligjit të dekriminalizimit.
Fill pasi Prokuroria e Përgjithshme dërgoi materialet në KLGJ, gjyqtarja i dërgoi një letër Këshillit ku shpjegonte arsyet përse nuk e kishte deklaruar më herët dënimin. Gjoka tha se nuk e kishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit një vendim gjyqësor grek, për falsifikim vize pasi vendimi i dënimit i dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë Janinë, nuk i është njoftuar asnjëherë dhe nuk ka marrë formë të prerë.
Sipas gjyqtares Gjoka, vendimi i dënimit jo i formës së prerë i Gjykatës së Shkallës së Parë Janinë nuk mund të përbëjë shkak për mbarimin e mandatit si gjyqtare, sepse ky vendim nuk cenon kushtet e zgjedhshmërisë./ZËRI