Aktualitet

Allajbeu tërhiqet nga kërkesa kundër kontrolleve të SPAK, materialet e marra nga BKH qëndrojnë në sekuestro

Si 'Labopharma' ashtu edhe 'Pegasus' kanë bërë kërkesa të veçanta në GJKKO për kthim të sendeve të sekuestruara.

F.I
Allajbeu tërhiqet nga kërkesa kundër kontrolleve të SPAK,
Klodian Allajbeu

TIRANË-Gjykata e Posaçme shqyrtoi sot kërkesën e 'Evita', kompani në pronësi të biznesmenit Klodian Allajbeu, i lidhur me Spitalin Amerikan, si dhe të bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë dhe disa kompanive të tjera që kundërshtojnë kontrollet e SPAK dhe këmbëngulin në kthimin e sendeve të sekuestruara. 

Vetë Allajbeu kishte kundërshtuar sekuestrimin e telefonit të tij, por u tërhoq nga ankimi. Ndërkohë, gjykata rrëzoi kërkesat e Emirjana Erden, shoqërisë “American Hospital” Sh.a, Onejda Ymeraj, Osvelda Qafa, Arber Teqja dhe “Evita” sh.p.k, duke mos pranuar pretendimet për pavlefshmëri të kontrolleve.

Seancat për Denis Erden dhe disa kompani të tjera – “Pharma One” sh.p.k, “Eco Riciklim” sh.p.k, “Anamark” sh.p.k, “Equos Resort” sh.p.k dhe “Cambridge Clinical Laboratories” sh.p.k – janë shtyrë. Weblajm raporton se deri më tani janë zhvilluar 5 seanca gjyqësore ku është pranuar kërkesa e prokurores Dorina Bejko për mbajtjen e provave në sekuestro, ndërsa 4 seanca të tjera janë shtyrë.

Vendimet e shpallura këtë të mërkurë ku janë rrëzuar kërkesat e kopmpanive dhe ka mbetur në fuqi SEKUESTRO :

Emirjana Erden – Rrëzuar
American Hospital Sh.a – Rrëzuar
Onejda Ymeraj – Rrëzuar
Osvelda Qafa – Rrëzuar
Arber Teqja – Rrëzuar
Evita shpk – Rrëzuar

Seancat e shtyra:

Denis Erden – Shtyrë
Pharma One sh.p.k – Shtyrë
Eco Riciklim sh.p.k – Shtyrë
Anamark sh.p.k – Shtyrë
Equos Resort sh.p.k – Shtyrë
Cambridge Clinical Laboratories sh.p.k – Shtyrë

Hetimet po kryhet me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, nën drejtimin e prokurores Dorina Bejko në lidhje me koncesionet në fushën e shëndetësisë. Konkretisht kontrollet nga SPAK dhe BKH u ushtruan edhe për Osvelda Qafa, Shefe e Operacioneve Financiare në Spitalin Amerikan, si dhe të çifti i bashkëshortëve Onejda Ymeraj dhe Arbër Teqja. Ymeraj është një prej drejtuesve kryesore të Spitalit Amerikan që prej vitit 2014, ndërsa Teqja ka qenë më herët pronar me 70% të aksioneve të një biznesi me emrin “Eco Riciklim”, të cilin më vonë ia ka blerë kompania ANAMARK, pronar i së cilës është 100% Klodjan Allajbeu. Qafa, Ymeraj dhe Teqja kërkojnë në GJKKO kthimin e celularëve.

Ndërkohë Agjentët e Byrosë Kombëtare kanë zhvilluar një aksion edhe në kompleksin 'Equos Resort' dhe në kompaninë 'Pegasus' të biznesmenit Janis Karathanos. Pegasus është shoqëria mëmë e AB Laboratory Solution BV. Si 'Labopharma' ashtu edhe 'Pegasus' kanë bërë kërkesa të veçanta në GJKKO për kthim të sendeve të sekuestruara.

Deri në këto momente, autoritetet nuk kanë dhënë detaje zyrtare mbi natyrën e hetimit. Kontrata koncesionare “Për ofrimin e shërbimit laboratorik të spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake të Sarandës dhe Lushnjës” u firmos në 24 prill 2019, ndërsa procedurat kishin nisur që në vitin 2015. Një raport i tetorit 2021 nga Kontrolli i Lartë i Shtetit gjeti shkelje të madhe dhe arriti në përfundimin se Ministria e Shëndetësisë e kishte dhënë atë në kundërshtim me ligjin “Për Koncesionet dhe Partneritetin Publik Privat”. Për këtë procedurë, KLSH paditi në SPAK shtatë anëtarët e komisionit për dhënien e koncesionit si dhe i kërkon gjithashtu Ministrisë së Shëndetësisë që të marrë masa për rishikimin dhe zgjidhjen e kontratës./ZËRI

Poll

MOS HUMB