LIBRAZHD- Juglindja vijon të jetë në izolim total prej 5 ditësh, për shkak të shkatërrimit të aksit rrugor Librazhd-Prrenjas. Mëngjesin e kësaj të mërkure ka nisur demontimi i urës në zonën e njohur si “Arrat e Gurrës”, e cila pësoi rrëshqitje dhe u dëmtua.
Ura pësoi dëmtime fatale pas një lëvizjeje të fuqishme të masivit të dheut, ndërsa sipas specialistëve të terrezinit, zhvendosja e trupit të rrugës dhe çarja e shtresave mbajtëse e kanë nxjerrë jashtë funksioni totalisht strukturën ekzistuese.
Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) nisi punën menjëherë pas vendimit të Këshillit teknik mbi zgjidhjen që do t'i jepet Korridorit të VIII në segmentin e dëmtuar nga erozioni në Dragostunjë. Procesi i demontimit po kryhet me mjete të rënda dhe nën masa të rrepta sigurie, për shkak të paqëndrueshmërisë së terrenit, pasi zona vijon të konsiderohet me risk të lartë gjeologjik.
Si zgjidhje provizore për të rilidhur juglindjen me pjesën tjetër të Shqipërisë, ARRSH ka njoftuar ndërtimin e një rruge provizore 1.3 km buzë Shkumbinit. Specialistët gjithashtu janë në terren në pjesën përkrah hekurudhës ku do të nisë puna për ndërtimin e këtij segmenti që do të bëjë të mundur rikthimin e qarkullimit në këtë aks rrugor.
Gjatë ditës së djeshme, kreu i ARRSH-së Ami Kozeli, në një konferencë për mediat, njoftoi ndërtimin e një rruge të re provizore në shtratin e Lumit Shkumbin. Megjithatë, Kozeli nuk ka dhënë një afat kohor se sa do të zgjasë ndërtimi i rrugës së re.
Ndërkohë, Konfederata e Industrive të Shqipërisë ka reaguar për gjendjen e jashtëzakonshme të aksit rrugor Librazhd-Prrenjas, duke e cilësuar situatën si goditjen më të rëndë për ekonominë dhe sigurinë kombëtare. Konfindustria kërkon që Qeveria dhe SPAK të ndërmarrin masa të jashtëzakonshme dhe sa më të shpejta në kohë.
Reagimi i Konfindustrisë:
Konfindustria vlerëson, se shkatërrimi dhe mbyllja e rrugës kombëtare me Korçën, që përkon me gjurmën e Korridorit 8 si dhe problematikat e rënda në akset ndihmëse rrugore, tunele dhe ura, duke lënë pothuaj të shkëputur Juglindjen e vendit, është goditja më e rëndë në kohë paqe për ekonominë si dhe sigurinë kombëtare. Konfindustria kërkon, që duke vlerësuar sa më sipër, Qeveria dhe SPAK duhet të ndërmarrin masa të jashtëzakonshme dhe sa më të shpejta në kohë.
Ekonomia kombëtare, bizneset, industritë dhe prodhimi vendor, në rast të moszgjidhjes së shpejtë të gjendjes, rrezikojnë humbje të mëdha financiare, rritje kostosh me pasoja të rënda deri në falimentim. Qytetarët do të drejtohen për furnizime me ushqime dhe karburant në shtetet fqinje si Maqedonia e Veriut dhe Greqi. Goditja ekonomike- financiare është me pasoja edhe më të rënda, nëse vlerësohet, se rrezikohet në afatgjatë vetë pozicioni i Shqipërisë si vend tranzit i besueshëm për lëvizjen e mallrave dhe njerëzve Lindje-Perëndim.
Sa më sipër zhvleftëson ndjeshëm pozicionin gjeostrategjik, si një prej pasurive më të mëdha të Shqipërisë, në favor të konkurrentëve tregtarë rajonalë me në krye Greqinë, përfshirë edhe detyrimet ndaj NATO-s.
Situata u përkeqësua që prej ditës së shtunë (21 shkurt), ku rruga është shkëputur duke rrezikuar shembje totale si pasojë e rrëshqitjes së dherave. Segmenti u mbyll për shkak të shembjes së urës në vendin e njohur si “Arrat e Gurrës”. Rrëshqitja e tokës ka dëmtuar edhe bypassin provizor që pritej të hapej që prej ditës së djeshme. Prokuroria e Elbasanit njoftoi se ka filluar me iniciativë të saj hetimet për dëmtimet qëkanë sjellë bllokimin tërësor të qarkullimit në aksin rrugor Librazhd-Pogradec. Hetimet nga prokuroria e Elbasanit kanë nisur për veprat penale “Shpërdorim i detyrës”, “Shkelje e barazisë në tendera apo ankande publike”, “Shkatërrimi i rrugës”, “Ndotja e ajrit, ujit apo tokës”./ZËRI
