TIRANË-Është hedhur shorti për gjyqtarin që do të shqyrtojë në themel çështjen për ish-zv/Kryeministrin Arben Ahmetaj, e njohur si dosja “Buka”. Çështja do të shqyrtohet nga gjyqtarja Irena Gjoka. Por ky nuk është figura e e vetme politike që do të jetë në duart e Gjokës.
Gjoka është caktuar gjyqtare edhe për dosjen e kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili ndodhet pas hekurave, me disa akuza në ngarkim të tij, përfshirë korrupsionin dhe fshehjen e pasurisë. Gjoka ka qenë gjithashtu gjyqtare paraprake në dosjen Partizani, ndërsa vazhdimisht ka qenë e sulmuar nga ish-kryeministri Sali Berisha, i cili edhe me disa kërkesa zyrtare ka kërkuar largimin e saj nga çështja, për konflikt interesi. Gjoka do të vlerësojë nëse akuzat e ngritura nga Prokuroria e Posaçme në drejtim të ish-presidentit janë apo jo të ligjshme.
Arben Ahmetaj, në cilësinë e Ministrit të Ekonomisë, zhvilloi ankandin për shitjen e aksioneve të “Buka” sh.a në vitin 2015, ku iu kalua biznesmenit Fezollari edhe prona që iu është njohur trashëgimtarëve të ish-pronarit të shpronësuar në vitin 1945 nga regjimi komunist. Dëmi që llogaritet nga privatizimi i ish-fabrikës së bukës llogaritet të jetë 700 milionë lekë.
Ish-zv kryeministri i vendit, Arben Ahmetaj është aktualisht në kërkim ndërkombëtar, prej viti 2023, teksa mbi të rëndojnë akuzat “Korrupsion pasiv”, “Fshehje pasurie” dhe “Pastrim parash”. Ish-numrit dy të qeverisë i janë sekuestruar disa pasuri. Disa prej pronave dyshohet se janë vendosur nga raporti që ka pasur Ahmetaj me pronarët e inceneratorëve, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto. Vetë Ahmetaj i ka mohuar vazhdimisht akuzat, qoftë për dosjen e inceneratorëve, qoftë për privatizimin e ish-shoqërisë Buka./ZËRI