Aktualitet

SPAK mbylli hetimet për Veliajn, kush është gjyqtarja që ka në dorë ‘fatin’ e tij

Etleva Deda është gjyqtarja që do të vendosë në lidhje me hetimet e SPAK për kryebashkiakun e arrestuar të Tiranës

E.K
SPAK mbylli hetimet për Veliajn, kush është gjyqtarja që ka
erion veliaj

TIRANË- Etleva Deda do të jetë gjyqtarja që do të shqyrtojë dosjen e kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj. Pas shortit të hedhur në Gjykatën e Posaçme, Deda do të vendosë mbi dosjen dhe akuzat që Prokuroria e Posaçme ka ngritur ndaj Veliajt, bashkëshortes së tij, si dhe personave të tjerë të përfshirë.

Veliaj, i cili ndodhet në qeli prej 10 shkurtit, së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Në njoftimin e SPAK thuhet se çifti kanë marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, nga subjekte tregtarë dhe organizata jofitimprurëse (përmendur më sipër), të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.

Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për 'shpërdorim detyre', 'pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale', 'futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim' dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim.

Sa i përket bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa akuzohet edhe për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje e të ardhurave. SPAK njofton se ka siguruar prova të mjaftueshme ku Ajola Xoxa, vetë ose nëpërmjet personave të tjerë të afërt me të, për një periudhë të shkurtër kohore, ka bërë blerje online veshje në vlerën 86,721,175 lekë. (850 mijë euro)

Nga hetimet ka rezultuar se Veliaj për shkak të funksionit së bashku me bashkëshorten e tij, kanë përfituar në mënyrë të parregullt edhe pasuri të paluajtshme në vlerë të konsiderueshme nga subjekte tregtarë që kanë marrë fonde publike dhe leje ndërtimi nga Bashkia Tiranë. 

14 biznesmenët akuzohen për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetëror ose të zgjedhurve vendorë, fshehje të ardhurash dhe pastrim parash. Ish-deputetja Klotilda Bushka akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Kurse Fatjon Baci, i cili është gardiani i burgut të Durrësit, i cili i dha telefonin Erjon Veliaj gjatë transferimit të tij nga qelia në gjykatë, në dy raste, akuzohet për 'Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”.

Ndërkohë avokatët e kryebashkiakut të Tiranës, shprehen se Veliaj i qëndron pafajësisë së tij, duke thënë se SPAK nuk ka asnjë provë, fakt apo dokument kundër tij. /ZËRI 

Poll

MOS HUMB