TIRANË- Durim Bami, i arrestuar në Dubai për llogari të autoriteteve shqiptare, pritet të ekstradohet sot nga Dubai. Policia njofton se ekstradimi i tij vjen si rezultat i operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”. Ndaj tij rëndojnë akuza për vepra të ndryshme penale, nga sigurimi i kushteve për të kryer vrasje, tek grup i strukturuar kriminal dhe kultivim narkotikësh.
Bami, i konsideruar si një nga anëtarët e bandës së Niklës, u arrestua në Dubai dy vite më parë, më 12 qershor të vitit 2024. Ai ishte shpallur në kërkim me urdhër të SPAK në kuadër të operacionit Revansh. Arrestimi i tij u bë falë shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tirana dhe Interpol Abu Dabi.
Njoftimi:
Policia e Shtetit/Vijon operacioni ndërkombëtar i koduar “The Wanted”, për lokalizimin, kapjen dhe finalizimin e procedurave të ekstradimit të shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Pritet finalizimi i procedurave të ekstradimit gjatë ditës së sotme, nga Dubai, në Shqipëri, të një shtetasi të shumëkërkuar.
Në vijim të bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, ditën e sotme, pritet të ekstradohet nga Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe, në Shqipëri, shtetasi D. B., 47 vjeç, banues në Nikël, Krujë.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 15.05.2024, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal”.
Pas mbërritjes së këtij shtetasi, do të ketë një njoftim të plotë për median.
Aktualisht çështja penale ndaj Durim Bamit është përfunduar dhe dërguar në gjyq nga SPAK. Ndërsa akuzat zyrtare kundër tij janë të rënda si ajo e “Sigurimit të kushteve për të kryer vrasjen” e ish-deputetit të PS, Arben Ndoka, “Sigurimit të kushteve për të kryer vrasjen”, të Hektor alias Tori Xheçuka dhe Erigers Mihasit kryer kjo në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”.
Njëherësh, Durim Bami, akuzohet nga SPAK dhe për “Kultivim të lëndëve narkotike” kryer në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”.
Ndalimi i Durim Bamit në Dubai është kryer në datën 21 Tetor 2024. Kjo ishte hera e dytë që Durim Bami, u arrestua nga policia e Dubait, pasi ai kishte shkelur rregullat e paraqitjes në një nga rajonet e policisë së Dubait. Për herë të parë ai u ndalua në muajin qershor 2024, pas një urdhër-arresti të lëshuar nga SPAK në muajin Maj 2024. Shumë shpejt ai u lirua nga gjykata duke përfituar një leje qëndrimi dhe garancie për tu paraqitur në komisariat sa herë ishte e nevojshme për tu verifikuar.
Por tre thirjeve në E-Mail të policisë së Dubait për ta verifikuar, Durim Bami, nuk i është përgjigjur çka solli arrestimin e tij për herë të dytë. Bami ka pretenduar se nuk kishte parë E-mailet ndaj nuk ishte paraqitur fizikisht në polici, ditën dhe orën e planifikuar. Por këto pretendime nuk e ndihmuan për tu liruar nga burgu. Tashmë Durim Bami, ka humbur dhe procesin gjyqësor, duke i hapur rrugën ekstradimit të tij në Shqipëri. Pikërisht në këtë vend ai do përballet me disa akuza që çojnë në rrezikun e tij për tu deklaruar fajtor dhe mund të dënohet deri në 20 vite burgim./ZËRI