Aktualitet

Helmimi i studentëve të Akademisë së Sigurisë, Policia: 60 kursantë përfunduan në spital! AKU merr mostrat

Ndërsa mëngjesin e sotëm janë paraqitur në qendrën shëndetësore të Akademisë së Sigurisë edhe 29 kursantë që janë dërguar për ndihmë mjekësore te 'Infektivi' i QSUT-së.

F.I
Helmimi i studentëve të Akademisë së Sigurisë, Policia:
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Policia e Tiranës ka dhënë detaje lidhur me rastin e e helmimit të studentëve në Akademinë e Sigurisë. Blutë njoftojnë se 60 kursantë kanë marrë ndihmën mjekësore në Repartin Infektiv të QSUT-së. Raportohet se 31 kursantë të Akademisë së Sigurisë, mbrëmjen e djeshme kanë pasur simptoma si të vjella, diarre, temperaturë dhe dhimbje koke, për të cilat kanë marrë ndihmë mjekësore në spital.

Ndërsa mëngjesin e sotëm janë paraqitur në qendrën shëndetësore të Akademisë së Sigurisë edhe 29 kursantë që janë dërguar për ndihmë mjekësore te 'Infektivi' i QSUT-së. Lidhur me rastin Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka marrë mostra të ushqimeve të konsumuara, të cilat do t’i nënshtrohen analizave laboratorike për të përcaktuar shkakun e kësaj situate.

Ushqimi në ambientet e institucionit shërbehet nga kompania private e kontraktuar, Sori-Al.

Njoftimi i policisë:

Në orët e mbrëmjes së djeshme dhe në orët e para të mëngjesit të sotëm janë dërguar për ndihmë mjekësore në Repartin Infektiv të QSUT-së 31 kursantë të Kolegjit Profesional të Formimit Policor në Akademinë e Sigurisë, me simptoma si temperaturë dhe diarre, të cilët kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe janë kthyer në Akademinë e Sigurisë në gjendje të mirë shëndetësore.

Ndërkohë, mëngjesin e sotëm janë paraqitur në qendrën shëndetësore të Akademisë së Sigurisë edhe 29 kursantë të tjerë të Kolegjit Profesional të Formimit Policor, të cilët janë dërguar për ndihmë mjekësore në Repartin Infektiv të QSUT-së.

Menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit dhe përcaktimin e përgjegjësive përkatëse.

Ndërkohë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka marrë mostra të ushqimeve të konsumuara, të cilat do t’i nënshtrohen analizave laboratorike për të përcaktuar shkakun e kësaj situate.

Gjithashtu, të gjithë kursantëve u janë bërë analizat dhe pritet dalja e përgjigjeve për të përcaktuar shkakun.

Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.

Poll

MOS HUMB