KAVAJË-Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja tronditëse në Kavajë, ku konflikti mes dy vëllezërve u mbyll me vdekjen e njërit prej tyre. Ngjarja ndodhi rreth orës 20:30 të 24 qershorit në fshatin Agonas, ku dy vëllezërit ndodheshin në arë duke mbledhur bazën ushqimore për blegtorinë.
Paraprakisht raportohet se viktima Eqerem Rreshka, 74-vjeç kishte shkuar për të marrë dengje bari me zetor në arë, ku pasi i kishte ngarkuar, gjatë kthimit ishte takuar me vëllain e tij Muhamet Rreshka 76 vjeç.
Ky i fundit i kishte thënë vëllait të mos kalonte në atë rrugë, ndërsa Eqerem Rreshka e kishte përplasur me zetor. Pas konfliktit verbal, Muhamet Rreshka ka nxjerrë një thikë dhe e ka goditur vëllain e tij 3-4 herë. 74-vjeçari u transportua me urgjencë drejt spitalit, por ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra.
Autori është arrestuar nga forcat e policisë, ndërsa mësohet se ka shprehur pendesë pas ngjarjes. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje./ZËRI