
DURRËS- Prokuroria e Durrësit përmes një deklarate zyrtare ka njoftuar se ka gjetur një laborator që do të kryejë analizat e 102 kontejnerëve që ndodheshin në anijen “Moliva”. Anija, e cila po transportonte 2100 ton mbetje me destinacion Tajlandën u kthye sërish në vendin tonë, pasi dyshohej se ishin toksike. Sipas njoftimit të prokurorisë, është gjetur laboratori që plotëson dhe ka infrastrukturën për të kryer analizat sipas standarteve ndërkombëtare. Ishte organizata mjedisore “Basel Action Network” që ngriti alarmin se brenda tyre mund të fshiheshin tonelata me mbetje të rrezikshme.
"Aktualisht është identifikuar laboratori që plotëson dhe ka infrastrukturën për garantimin e respektimit të të gjitha protokolleve dhe standardeve ndërkombëtare dhe shumë shpejt do procedohet me marrjen dhe analizimin e mostrave", thuhet në njoftim.
Prokuroria e Durrësit bën me dije se Jim Puccket përfaqësuesi i Bazel Action Network dhe Mileukontakt Shqipëri ka kërkuarqë të pyetet si dëshmitar dhe të marë pjesë si ekspert dhe vëzhgues gjatë procesit të marrjes së mostrave dhe analizimit.
“Në respektim të dispozitave ligjit procedural penal, Z.Puckett është ftuar për t’u paraqitur në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës në datë 04.12.2024 me qëllim dhënien e dëshmisë dhe dorëzimin e provave që dispononte. Në pamundësi të paraqitjes së tij fizikisht, Z.Puckett i ka dërguar nëpërmjet e-mailit”, njofton Prokuroria.
Kontejnerët që kishin destinacion Tajlandën, u kthyen në vendin tonë pasi organizata mjedisore “Basel Action Network” ngriti alarmin se ato përmbanin tonelata me mbetje të rrezikshme.
"Nisur nga disa lajme të bëra publike në mediat online por edhe nga interesi i lartë në të njëjtën kohë, gjejmë me vend të informojmë opinionin publik mbi ecurinë e hetimeve për 102 kontenierët e sekuestruar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Durrës më 28.10.2024.
Kjo prokurori, në kuadër të procedimit penal nr.1596, të vitit 2024, të regjistruar për veprat penale “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, parashikuar nga neni 171 i Kodit Penal, “Transportimi i mbetjeve”, parashikuar nga neni 201/b i Kodit Penal, si dhe “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, është duke kryer hetime intensive.
Fillimisht, në kuadër të këtij procedimi janë sekuestruar 102 kontenierë, të cilët janë transportuar në Shqipëri me anijen MOLIVA XA443A të mbërritur në Portin e Durrësit në datë 28.10.2024.
Duke marrë parasysh dyshimet për rrezikshmërinë e substancave që përmban materiali që ndodhet në këta kontenierë si dhe volumin i madh (102 kontenierë) dhe kujdesin maksimal për respektimin e të gjitha praktikave më të mira ndërkombëtare gjatë procesit të marrjes së mostrave, transportimit, ruajtjes dhe analizmit të tyre, Prokuroria Durrës i është drejtuar zyrtarisht të gjitha ministrive që kanë në varësi ente, laboratore dhe institucione që operojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë me qëllim realizimin e këtij proceseve komplekse.
Në mungesë të infrastruktuës dhe mjeteve të posaçme për kryerjen e gjithë zinxhirit të proceseve sipas praktikave ndërkombëtare, i jemi drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimit me qëllim identifikimin e laboratorëve privatë që operojnë në Shqipëri që kanë ekspertizë në testimin e substancave të tjera të rrezikshme dhe që plotësojnë një sërë kriteresh të përgjithshme dhe specifike si:
- Të jenë të akredituar për matjen e metaleve të rënda, PAH-ve, Dioxina-ve dhe PCB-ve sipas normave ndërkombëtare;
- Të kenë mundësinë për krijimin e protokolleve të forta për ruajtjen e një zinxhiri të pandërprerë të kujdesit për të siguruar integritetin e mostrave (regjistrime të detajuara për çdo hap, nga marrja e mostrës deri te analiza);
- Të kenë ekspertë me eksperiencë në fushën e analizave kimike, të mbetjeve (skorieve të
metaleve dhe hirit të termocentraleve; dhe
- Të ketë sisteme të menaxhimit të informacionit të laboratorit (LIMS) të validuara për menaxhimin e sigurt të të dhënave, gjurmueshmërinë dhe gjenerimin e raporteve.
Aktualisht është identifikuar laboratori që plotëson dhe ka infrastrukturën për garantimin e respektimit të të gjitha protokolleve dhe standardeve ndërkombëtare dhe shumë shpejt do procedohet me marrjen dhe analizimin e mostrave.
Gjithashtu, gjejmë me vend të sqarojmë opininon publik se, në kuadër të këtij procedimi penal, Bazel Action Network dhe Mileukontakt Shqipëri, përfaqësuar nga Jim Puckett, i është drejtuar Prokurorisë Durrës nëpërmjet një emaili duke kërkuar që të pyetet si dëshmitar dhe të marë pjesë si ekspert dhe vëzhgues gjatë procesit të marrjes së mostrave dhe analizimit.
Në respektim të dispozitave ligjit procedural penal, Z.Puckett është ftuar për t’u paraqitur në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës në datë 04.12.2024 me qëllim dhënien e dëshmisë dhe dorëzimin e provave që dispononte. Në pamundësi të paraqitjes së tij fizikisht, Z.Puckett i ka dërguar nëpërmjet e-mailit.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Durrës ka vijuar me intensitet dhe përparësi kryerjen e veprimeve hetimore në lidhje me këtë procedim penal dhe gjithashtu do të vijojë të informojë publikun në lidhje me këtë çështje që mbart interes të lartë publik", njofton Prokuroria e Durrësit.
Por si erdhi sinjalizimi i anijeve me mbetje industriale?
Sipas dokumenteve zyrtare të shqyrtuara nga AFP, kontejnerët ishin mbushur me materiale mbeturinash që ishin vendosur për t'u përpunuar dhe shkatërruar larg brigjeve të Evropës. Materiali i depozituar në 102 kontejnerët e kishte origjinën nga uzina e çelikut Kurum International në pronësi turke në Elbasan, Shqipëri. Mbetjet u blenë fillimisht nga kompania shqiptare Sokolaj, e cila më pas ia shiti materialin filialit të saj në Kroaci, GS Minerals, me ngarkesën që do të shkarkohej në Tajlandë për përpunim.
Sipas dokumenteve të parë nga AFP, Sokolaj i etiketoi mbetjet si "oksid hekuri" një substancë që nuk është e ndaluar për dërgesë ose që konsiderohet e rrezikshme. Një analizë e substancës në kontejnerë u krye nga një laborator kroat me bazë në Zagreb, sipas Sokolajt. Kur u kontaktua nga AFP, laboratori refuzoi të komentonte, duke thënë se "informacioni mund t'u jepet vetëm klientëve". Vetë Sokolaj nuk i është përgjigjur pyetjeve se çfarë ka në kontejnerë. Kompania dhe filiali i saj kroat refuzuan të dyja kërkesat e AFP për koment.
Një sinjalizues kishte telefonuar rrjetin e Bazelit për të raportuar se kontejnerët mbanin jo vetëm oksid hekuri, por edhe mbetje toksike.
BAN (Rrjeti i Veprimit të Baselit) i kërkoi Maersk që të ndalonte anijet kur ato ishin pranë bregut të Afrikës së Jugut. Anijet nuk u përgjigjën dhe fikën transponderët e tyre ndërsa lundronin për në Singapor, sipas BAN. BAN më pas njoftoi autoritetet tajlandeze, të cilët refuzuan të lejonin hyrjen e kontejnerëve. Në fund të gushtit, 102 kontejnerët në bordin e dy anijeve u nisën për në Evropë dhe mbërritën në Shqipëri në fund të shtatorit, më ekzaktësisht më datë 28. Që nga dhënia e alarmit, në Shqipëri, prokurorët kanë hapur një hetim për incidentin në bashkëpunim me Zyrën Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) dhe partnerët ndërkombëtarë. Tani Prokuroria e Durrësit, po verifikon dokumentacionin e plotë dhe autorët e shkeljes së rëndë. Po ashtu, nga hetuesit në Shqipëri janë marrë edhe mostra nga oxhakët e fabrikës "Kurum" për t'i krahasuar më pas me mostrat që do të merren nga konteinerët./ZËRI