
SPANJË- Policia spanjolle ka zhvilluar një mega-aksion kundër trafikut të marijuanës, duke vendosur në shënjestër grupet shqiptare që veprojnë atje. Sipas medias "El Caso", aksioni, i cili konsiderohet "konfidencial", u zhvillua në disa vende të Katalonjës. Skuadra e Policisë spanjolle është futur në magazina, banesa dhe depo, të vendosura në qytete të ndryshme të vendit.
Madje dhe në Barcelonë, atje ku jeton një nga drejtuesit e kësaj organizate të dyshuar kriminale. Por edhe këtë të fundit, mediat spanjolle nuk e kanë identifikuar me emër.
Hetimi i drejtuar nga Njësia Hetimore e Komisariatit të Policisë Anoia, ka bërë të mundur lidhjen e vendndodhjeve të ndryshme në kuadër të këtij operacioni kundër trafikut të marijuanës. Ky është një nga specialitetet e hetuesve, të cilët janë fokusuar në luftën kundër kësaj droge në rajonin e Anoias dhe në degëzimet e organizatave kriminale të përfshira. Deri më tani raportohet se ka të arrestuar, por edhe pse nuk bëhet me dije numri, raportohet se të gjithë janë shqiptarë. Po ashtu, është sekuestruar edhe drogë.
Lufta kundër marijuanës dhe përfshirjes kriminale në territor, si dhe shtimi i incidenteve të dhunshme si rezultat i krijimit të mafias në Katalonjë, janë kthyer tashmë në një prioritet për Policinë spanjolle. Sidomos kur vetëm një javë më parë një person u qëllua me armë zjarri për t'i vjedhur drogën që po transportonte për llogari të bandave kriminale./ZËRI