
TIRANË-Në kuadër të hetimeve për ish-deputetin e Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja, SPAK ka thirrur për të dëshmuar ish-kreun e OSHEE Adrian Çela. Ish-kreu i OSHEE do të pyetet në cilësinë e drejtuesit politik të qarkut të Durrësit. Për të njëjtën dosje gjithashtu u pyet edhe ish-kryebashkuaku i Durrësit, Vangjush Dako.
Nga hetimet e kryera nga SPAK, ka rezultuar se Çyrbja ka komunikuar përmes aplikacionit të enkriptuar “Sky ECC” me persona të shpallur në kërkim, informacion rreth përmbajtjes së dokumenteve dhe akteve që sipas ligjit përbëjnë sekret shtetëror.
Me urdhër të SPAK është arrestuar mbrëmjen e 20 tetorit, ish-deputeti socialist Jurgis Çyrbja, i cili dorëzoi mandatin disa ditë para se t'i vendoseshin prangat. Së bashku me të u arrestua edhe kunati i tij, Ahmet Masha. Çyrbja akuzohet për disa vepra penale: “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal; “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga neni 302/1/2 të Kodit Penal si dhe “Tregëtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”. Ish-deputeti ka strehuar Altin Hajrin dhe e ka ndihmuar me informacione për goditjet e Policisë./ZËRI