TIRANË-Janë zgjeruar hetimet në lidhje me koncesionet në fushën e shëndetësisë ku në 'lupë' është vendosur biznesmeni Klodian Allajbeu. Bëhet fjalë për hetimin e Koncesionit të Laboratorëve në Shëndetësi mbi 100 milionë euro, teksa janë sekustruar dokumente, celularë, kompjutera dhe materiale të tjera të vlefshme për hetim.
Përveç kontrolleve të ushtruara në ambientet e shoqërisë “Evita” sh.p.k., kompani në pronësi të Allajbeut, i lidhur me Spitalin Amerikan, SPAK dhe BKH kanë zhvilluar një aksion edhe në kompleksin 'Equos Resort' dhe në kompaninë 'Pegasus' të biznesmenit Janis Karathanos. Pegasus është shoqëria mëmë e AB Laboratory Solution BV. Si Labopharma ashtu edhe Pegasus kanë bërë kërkesa të veçanta në GJKKO për kthim të sendeve të sekuestruara.
Weblajm raporton se pas sekuestrove shoqëritë tregtare kanë kërkuar kthimin e tyre në gjykatë. Do të jetë gjyqtarja Elsa Ulliri e cila do të shprehet me vendim për këto kërkesa penale.
Në dokumentet e siguruara nga weblajm, prokurorja Dorina Bejko ka urdhëruar kontrolle personale edhe te tre persona të tjerë: Osvelda Qafa, Shefe e Operacioneve Financiare në Spitalin Amerikan, si dhe të çifti i bashkëshortëve Onejda Ymeraj dhe Arbër Teqja. Këta dy të fundit, nuk janë emra të rastësishëm: Ymeraj është një prej drejtuesve kryesore të Spitalit Amerikan që prej vitit 2014, ndërsa Teqja ka qenë më herët pronar me 70% të aksioneve të një biznesi me emrin “Eco Riciklim”, të cilin më vonë ia ka blerë kompania ANAMARK, pronar i së cilës është 100% Klodjan Allajbeu. Qafa, Ymeraj dhe Teqja kërkojnë në GJKKO kthimin e celularëve.
Sekuestrimet janë kryer edhe te kompanitë koncesionare dhe të tjera të dyshuara të lidhura, si Spitali Amerika, spitali 'Evita', si dhe në rrjetin e Laboratoreve 'Cambridge'. Shoqëria “Evita” sh.p.k. e Klodjan Allajbeut ushtron aktivitet në sektorin e farmaceutikës dhe furnizimit me pajisje mjekësore.
Hetimet po kryhet me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, nën drejtimin e prokurores Dorina Bejko në lidhje me koncesionet në fushën e shëndetësisë. Deri në këto momente, autoritetet nuk kanë dhënë detaje zyrtare mbi natyrën e hetimit.
