TIRANË-Një skemë mashtrimi me shitje fiktive të ilaçeve me qëllim për të përfituar rimbursime, ka sjellë edhe një herë në qendër të vëmendjes kompaninë “CFO Pharma” në pronësi të Nadir Çaushollit. Një ditë më parë Gjykata e Tiranës dha urdhër për ushtrimin e kontrolleve në ambientet e dy kompanive farmaceutike, “Medyx Albania” dhe “Pharma Plus”, në lidhje me skemën e mashtrimit.
Në qendër të hetimit janë veçanërisht dy medikamente që përdoren për sëmundjen e astmës, të quajtur respektivisht Foster dhe Trimbow. Foster dhe Trimbow janë dy medikamente, të cilët përdoren për trajtimin e astmës, të prodhuara nga kompania italiane Chiesi Farmaceutici. Në tregun shqiptar u raportua se ka sasi më të madhe ilaçesh Foster dhe Trimbow, sesa sjell vetë kompania. Por hetimi ka nisur pas një kallëzimi të një tjetër biznesmeni në fushën farmaceutike, Ilir Shehu (Pasholli), pronari i kompanive Medicamenta dhe Mega Store.
Sulm konkurrence apo hetim, ja çfarë thonë burime për ZËRI!
Teksa Prokuroria ka sekuestruar praktikisht të gjithë inventarin dhe dokumentacionin e rimbursimeve në kompaninë “CFO Pharma”, burmie për ZËRI-n bëjnë me dije se është verifikuar nëse këto medikamente kanë hyrë në Shqipëri, përmes çfarë rruge dhe a janë zhdoganuar. Në këto hapa, tashmë Prokuroria pritet të thërrasë personat e përfshirë në këtë skemë.
Burimi: Fillimisht këtë periudhë janë kryer veprime të mbyllura, pra kontrolle, janë marrë dokumente te CFO Pharma, zyra, është verifikuar nëse këto medikamente kanë hyrë në Shqipëri, përmes çfarë rruge, a janë zhdoganuar etj. Tani nis prokuroria veprimet e hapura, do thërrasë personat e përfshirë për të parë çfarë ka ndodhur me të dyja ilaçet. Hetimi ka nisur me kallëzimin e Ilir Pashollit.
Ilir Pasholli është përmendur edhe nga vetë Nadir Çausholli, në korrik kur u raportua për mashtrimin me rimbursimin e ilaçeve. Asakohe pronari i "CFO Pharma" dha versionin e tij lidhur me artikullin e publikuar për dy medikamente të prodhuara nga kompania italiane Chiesi Farmaceutici që gjenden me shumicë në tregun tonë.
Çausholli u shpreh se e gjitha ishte një sulm ndaj kompanisë së tij, për shkak se do të marrë ekskluzivitetin e mallrave Foster dhe Trimbow. Pronari i "CFO Pharma" e lidhi skandalin me sulm konkurrence nga Ilir Shehu (Pasholli), pronari i kompanive Medicamenta dhe Mega Store.
Tashmë çështja është në duart e Prokurorisë dhe ajo që u pretendua se ishte një sulm nga konkurrenca, ka marrë përmasat e një hetimi të mirëfilltë./ZËRI

