TIRANË- Pretendimet për një sulm kibernetik ndaj infrastrukturës teknologjike të disa institucioneve gjyqësore, Gjykatës së Lartë dhe Prokurorisë së Përgjithshme, nga "Homeland Justice", ka nxitur reagimin e menjëhershme të institucioneve. Përmes reagimeve publike, institucionet mohojnë çdo kompromentim të sistemeve zyrtare.
Prokuroria e Përgjithshme bën me dije se, nga verifikimet e deritanishme të kryera nga ekspertët e sigurisë së IT-së, nuk janë konstatuar shenja komprometimi apo ndërhyrjeje në faqen zyrtare. Më tej, ajo shton se stafet e IT-së po monitorojnë situatën në mënyrë të vazhdueshme.
“Për shkak të interesit në lidhje me hackerimin e mundshëm të faqes zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, ju bëjmë me dije se nga verifikimet e kryera nga ekspertët e sigurisë së IT-së nuk janë konstatuar gjurmë komprometuese deri në momentin që flasim, në formën e hackerimit. Stafet tona të IT-së janë duke monitoruar në mënyrë të vazhdueshme situatën”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Edhe Gjykata e Lartë ka reaguar duke mohuar çdo sulm ndaj sistemit të saj, duke sqaruar se pretendimet lidhen me një faqe që nuk është nën administrimin e saj të drejtpërdrejtë. Sipas Gjykatës së Lartë, pre e sulmit kibernetik ka rënë faqja “gjykata.gov.al”, e cila është në menaxhim nga KLGJ, ndërsa sqaron se nuk ka lidhje me sistemin e brendshëm apo faqen e Gjykatës së Lartë.
“Në lidhje me interesimin tuaj, ju bëjmë me dije se Gjykata e Lartë nuk ka pësuar sulm kibernetik. Sipas pretendimeve të Homeland Justice, grupit në Telegram, faqja gjykata.gov.al, e cila është në menaxhimin e plotë të KLGJ-së, ka pësuar sulm kibernetik. Ky sulm nuk ka asnjë lidhje me sistemin e brendshëm apo faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë”, thuhet në reagim.
"Homeland Justice" përmes një njoftimi të publikuar në platformën Telegram pretendojnë se kanë hyrë rrjetet e këtyre institucioneve dhe kanë marrë të dhëna dhe dokumente që lidhen me funksionimin e brendshëm të tyre.
Por, kjo nuk është hera e parë që grupi i hakerave “Homeland Justice”, kryen sulme ndaj instuticioneve shqiptare. Më 25 mars “Homeland Justice” sulmoi sistemet e Postës Shqiptare, vetëm pak ditë pasi edhe Kuvendi i Shqipërisë ra pre e një sulmi kibernetik. Kuvendi i Shqipërisë njoftoi se sulmi pati si synim fshirjen e të dhënave dhe cënimin e sistemeve të brendshme, por rezultoi se infrastruktura kryesore e punës nuk u prek.
Nisur nga kjo ngjarje, në një seancë plenare të jashtëzakonshme Kuvendi miratoi pa prezencën e Partisë Demokratike, me 79 vota pro, 1 abstenim dhe 0 kundër projekt-rezolutë për shpalljen e Iranit sponsor të terrorizmit dhe shtet që përdor mjete terroriste. Rezoluta dënoi sulmet kibernetike të Iranit kundrejt institucioneve të Shqipërisë dhe u bëri thirrje vendeve të tjera demokratike dhe organizatave ndërkombëtare që të shqyrtojnë masa kundër terrorizmit./ZËRI
