DURRËS-Gjykata e Durrësit ka liruar nga burgu Indrit Cërlojin, ish-drejtorin e burgut të Durrësit, i arrestuar për arratisjen e Altin Ndocit, ngjarje e ndodhur më 13 janar. Gjyqtari Xhevdet Lika ka pranuar kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie”.
Arrestimi i tij erdhi vetëm një ditë pas shkarkimit nga detyra si drejtor i Burgut të Durrësit, ku akuzohet për shpërdorim detyre në rastin e arratisjes së Altin Ndocit. Ish-drejtori i IEVP, bashkë me disa zyrtarë të tjerë të policisë së burgjeve dhe staf civil, dyshohen se me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë shpërdoruar detyrën, me pasojë shkeljen e procedurave për shoqërimin në spital të Altin Ndocit, i cili u arratis, ndërkohë që akuzohet nga SPAK për vepra të rënda penale.
Arratisja e Altin Ndocit
Altin Ndoci mbërriti me ambulancë në spitalin e Durrësit, pa pranga mes efektivëve mesditën e 13 janarit, ku së bashku me një tjetër të paraburgosur, u shoqërua drejt repartit të Infektivit pas shqetësimeve në veshka. Ndoci i cili priste në dhomë pa pranga pas mjekimit, i kërkoi 2 efektivëve që e ruanin te dera, ta shoqëronin për në tualet, ngjitur me dhomën e vizitës. Sapo dera është hapur 38-vjeçari goditi një nga efektivët dhe u largua me shpejtësi duke zbritur shkallët nga kati i tretë i infektivit. Një prej efektivëve qëlloi për ta trembur, por ai ka arritur të largohet me vrap ndërsa një “Audi A7” e priste në parkimin e spitalit të Durrësit./ZËRI


