Aktualitet

"Shfryhet" dosja "5D", Apeli i Posaçëm liron ish-zyrtarin e Bashkisë, Taulant Tushe

Apeli i Posaçëm ka zbutur masën e sigurisë nga "arrest me burg" në "arrest shtëpiak".

zh.ll
"Shfryhet" dosja "5D", Apeli i Posaçëm liron
taulant tushe

TIRANË- Gjykata e Posaçme e Apelit ka ndryshuar masën e sigurisë dhe ka liruar nga qelia Taulant Tushen, i arrestuar në kuadër të hetimeve për dosjen "5D". Apeli i Posaçëm ka zbutur masën e sigurisë nga "arrest me burg" në "arrest shtëpiak" lidhur me dosjen "5D", ku akuzohet për shkelje të barazisë në tendera. Tashmë, pritet që autoritet të zbatojnë menjëherë masën e re të sigurimit, duke e transferuar Tushen nga ambientet e paraburgimit në arrest shtëpie

Taulant Tushe është një nga emrat e përfshirë në dosjen e bujshme "5D", ku janë të arrestuar ish-zyrtarë të tjerë: Mariglen Qato dhe Redi Molla, ish-drejtorë të Bashkisë së Tiranës, si pjesë e një hetimi mbi abuzimet në prokurime ndaj kompanisë "5D Konstruksion". 

Dosja "5D"

“5D Construction” ka fituar të paktën 16 tendera në Bashkinë e Tiranës dhe në institucionet e varësisë, përfshirë Ujësjellës-Kanalizime dhe “Tirana Parking”, me një vlerë prej afro 11 milionë euro.

Nga hetimet rezulton se Molla dhe Qato e kanë zotëruar këtë shoqëri tregtare në mënyrë indirekte, duke përdorur persona të tjerë, Eduart Meta, Muhamet Petriti dhe Nestor Muhamellari, si ortakë fiktiv, me të cilët kanë pasur lidhje shoqërore dhe lidhje miqësore. Madje, në katër procedura, kur Qato ka ushtruar funksionin e Drejtorit të Departamentit Mbështetës në shoqërinë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë”, ka patur edhe cilësinë e anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe ka qenë pjesë e marrjes së vendimit për shpalljen e fituesit të procedurës së prokurimit, për kompaninë e tij.

Tushe, nga ana tjetër akuzohet se në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë së Planifikimit të Punëve Publike dhe të anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, ka pasur dijeni në lidhje me ortakët e vërtetë të shoqërisë “5D Konstruksion” dhe e ka favorizuar.

Elantina Zere në cilësinë e titullares së “Tirana Parking”, ka favorizuar në një procedurë prokurimi operatorin ekonomik “V.A.S Konstruksion”. E njëjta akuzë rëndon edhe mbi Debora Keçin, në cilësinë e titullares së Klubit Sportiv “Tirana”. Si Zere dhe Keçi kanë pasur komunikime direkte me Muhamellarin, administratorin e “5D Konstruksion”. Vlerësimin e ofertave të pjesëmarrësve në tender e kanë bërë vetë punonjës të shoqërisë “5D Konstruksion”, pasi Muhamellarit i kanë dhënë user-at e anëtarëve të KVO-së./ZËRI

Poll

MOS HUMB