
MALIQ- Ditën e sotme fermerët e Maliqit kanë dalë sërish në protestë për shkak të vështirësive që ata po hasin me shitjen e prodhimeve të tyre. Ata shprehen se janë përballur me mungesën e tregut dhe çmimet nën kosto, duke bërë që tashmë ata të kenë qindra kuintalë qepë stok.
Sipas tyre çmimet nuk shkojnë më shumë se 15-20 lekë/kg, duke mos ‘nxjerrë’ as kostot që kanë harxhuar.
Një fermere ka folur për Ballkanweb dhe ka rrëfyer se të gjithë banorët e zonës kanë hedhur prodhimet e tyrë nëpër kanale. Gjithashtu ka treguar se për shkak të këryre kushteve djemtë e saj dhe shumë banorë të tjerë të fshatit kanë gjetur si zgjidhje emigrimin.
Fermerja:
Treg nuk ka fare, makina nuk vijnë dhe unë i hodha qepët të gjitha, ja ku i hodha e di që është shumë gjynah se unë mora dhe punëtorë i paguaja 20 mijë lekë ditën dhe tani akoma s’jua kam dhënë lekët.
Ata vijnë dhe e kërkojnë me 15 lekë të vjetra, si t’jua jap unë?
Nja dy vjet eci mirë, edhe djemtë ikën nga Italia e erdhën këtu thanë të punojmë në vendin tonë por do ikin sepse se nuk ja dalin dot këtu.
Jo vetëm unë por të gjithë banorët i kanë hedhur në rrugë në kanal se është turp dhe gjynah ti japim me atë çmim.