
TIRANË-Në GJKKO po zhvillohet seanca e radhës gjyqësore ndaj Plaurent Dervishajn dhe Julian Meçajn, të akuzuar për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja në vitin 2019, sot deputet i Sali Berishës në Kuvend. Në seancë, Prokurori i SPAK Adnan Xholi lexoi deklarimet e një dëshmitari okular që ka parë automjetet që u përdorën në atentatin ndaj ish-prokurorit Ndoja dhe Aleksandër Lahos, i njohur si 'Rrumi i Shijakut'.
"Dy makinat ndaluan dhe pashë që personat që dolën filluan të debatojnë. Njëri që kishte thikë në dorë i tha ‘Pse se mbarove punën, do ta pres fytin te…robt’”, kjo ishte dëshmia që u lexua nga Prokurori.
Ndërkohë prokurori lexoi edhe deklarimet e dhëna nga Aleksandër Laho pas ngjarjes ku ai mbeti i plagosur. Edhe “Rrumi” nuk është gjetur për t’u thirrur si dëshmitar pasi ai është person i shpallur në kërkim.
"Jam i papunë jetoj jashtë shtetit në Gjermani. Më parë kam pas Ermin Pëllumb Muharremi. Unë çdo ditë shkoj në Durrës. Në 1 nëntor 2019 shkoj me Stiven Mziun dhe Agron Bejdollin, kam shkuar tek lokal Korali në plazh për të ngrënë drekë. Në lokal kam ngrënë drekë dhe më pas janë larguar dy të tjerët që ishin në tavolinë. Në lokal kemi qëndruar për rreth dy orë. Më pas kemi dalë dhe jemi larguar dhe Arjani më kërkoi që të shkoja me makinën e tij, deri në Sukth. Ngjarjen nuk e mbaj mend, për shkak edhe të gjendjes shëndetësore. Deklarime me të zgjeruara do t’i jap para prokurorit të çështjes. Unë s’e njoh Ariol Halilajn. Pasi pashë pamjet filmike, i dalloj personat por nuk i identifikoj dot,"-shprehej në dëshminë e tij asakohe Laho.
Ndërkohë, Plaurent Dervishaj kërkoi që të jenë prezent në sallë dëshmitarët, teksa tha: "Dëshmitarët duhet të vijnë në sallë të na shohin a jemi ne ato personat te Benzi. Ç’punë kanë këto dëshmitarë me procesin tim. S’e kuptoj'.
Julian Meçe: Unë këtu po shikoj dhe dëgjoj dëshmitar që nuk kanë lidhje fare me gjykimin tim. E nderuar me datë 1 nëntor më ka arrestuar policia, s’më ka gjetur faktor plotësues asgjë, sinqerisht nuk ju kuptoj.
Laho është ende në kërkim edhe pse ndaj tij ka tre urdhër-arreste, një nga polica, një nga Prokuroria e Durrësit dhe një nga SPAK, për pengmarrjen e vëllezërve Beqiraj dhe tjetërsimin e pronave në bregdetin e Gjirit të Lalzit. I njohur edhe me nofkën "Rrumi i Shijakut", Aleksandër Laho është një personazh shumë i përfolur për lidhjet e tij me botën e krimit, ndërkohë që emri i tij u përmend edhe gjatë atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoji, ku mbeti dhe i plagosur.
Arjan Ndoji në vitin 2019 i shpëtoi një atenati me armë zjarri, ku vetë mbeti i plagosur kurse shoferi u vra ndërkohë që udhëtonte sëbashku me një nga eksponentët e krimit, "Rumin e Shijakut". Në maj të vitit 2022, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra prokurorin e Durrësit, Arjan Ndoj. Ai u hetua për të tri kriteret dhe gjatë vlerësimit të figurës së tij, u konstatua papështatshmëri e figurës, pasi dyshohet se ka favorizuar persona me precedent penalë gjatë detyrës së tij. Por edhe pse s'mund të ishte më pjesë e drejtësisë, në maj të këtij viti, Ndoji garoi në listën e hapur të Partisë Demokratike për qarkun e Durrësit, duke ia dalë që të fitonte mandatin si deputet i Kuvendit të Shqipërisë./ZËRI